Kuçi propozon 6 alternativa për të ç’bllokuar llogaritë e Telekomit

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, në seancën që po mbahet sot në Kuvend ka folur mbi çështjen e Telekomit të Kosovës.

Ai tha se pavarësisht diskutimeve se si mund të jenë punësuar mbi 2 mijë punëtorë në këtë ndërmarrje, duhet tu dilet zot sepse janë të rrezikuar.

Kuçi tha se me kolapsin e Telekomit rrezikohet siguria kombëtare.

“Secili prej nesh këtu nga një formë kemi kritikuar punësimet e shumta në Telekom. 2315 punëtorë janë që marrin paga tash. Pavarësisht si janë punësuar, duhet tu dalim zot. Në këtë kohë pandemie është merak shtesë për punëtorët dhe gjendjen e tyre. Kush e ka pru këtu, është çështje që mund të diskutohet. Gjithçka që ka ndodhë deri tash me Telekomin, ka një histori të gjatë. Çështja e bllokimit të llogarive, na ka nxjerrë në një pozicion tjetër. Ne kemi tentuar të gjejmë një zgjidhje të shpejtë. Ka dilema për kontratën bazë me Dardafonin, por tash është dorëhequr bordi mbikëqyrës. Ne jemi gjendur përballë një akti të kryer”.

“I gjithë sistemi qeveritar është bazu në shërbimet e Telekomit. Në kolapsin e Telekomit rrezikojmë cënim të sigurisë kombëtare, llogaritë janë bllokuar kështu që ansjë shpenzim operativ nuk mund të kryhet”.

“Bordi kërkoi të takohet me kryetarin e Gjykatës së Apelit dhe të sqarohet. E dyta takimi me menaxhmentin e Dardafonit për të gjetë një zgjidhje dhe e treta, Sindikata ka kërku mënyrën e sensibilizimit për këtë çështje. Kam kontaktuar vetë këta”.

Ai dha edhe disa mundësi për shpëtimin e Telekomit të Kosovës, një prej të cilave është privatizimi i pjesshëm i tij.

1. Marrëveshje për shlyrjen e detyrimit;
2. Të subvencionohet Telekomi për të kaluar gjendjen ekzistuese
3. Kredi për Telekomin për të kryer borxhin dhe më pas ata ta kenë përgjegjësi kthimin e kredisë;
4. Të huazojmë mjete nga Qeveria në llogari të Telekomit, mirëpo mjete të cilat duhet të kthehen në Qeveri në një periudhë që caktohet më pas;
5. T’i jepet kredi afatgjate Telekomit në kuadër të Masave të Pandemisë
6. Të shqyrtohet privatizimi i pjesshëm i Telekomit

“Është mundësia e ndihmës së Telekomit për të kryer borgjin, t’i jepet subvencione, të huazojmë mjete nga Qeveria në llogaritë e Telekomit, t’i jepet kredi Telekomit në kuadër të masave të pandemisë, të shqyrtohet privatizimi i pjesshëm i Telekomit”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.