Kryetarja e KQZ-së tregon nëse mund të ketë rinumërim total të votave

Kryetarja e KQZ-së tregon nëse mund të ketë rinumërim total të votave
Çlirim Gashi

10.03.2021 / Lajme

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, thotë se dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë e kanë dëmtuar procesin zgjedhor, por ajo nuk beson se ka arsye për rinumërim total të votave.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në KQZ, Ibrahim Selmanaj, në mbledhjen e së mërkurës të këtij institucioni që është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, kërkoi rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Daka thotë se duhet pritur rezultatin e hetimeve të prokurorisë, por ajo është e bindur se manipulimi nuk ka karakter të përgjithshëm.

“Fatkeqësisht kjo (me komisionerët) po na përsëritet”, tha Daka.

Sipas saj, komisionerët e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) duhet t’i nënshtrohen një kontrolli më rigoroz të së kaluarës së tyre dhe KQZ-ja nuk ka ndonjë mekanizëm tjetër për të mbrojtur integritetin e votës.

Fakti që Kosova në vazhdimësi po mban zgjedhje të parakohshme parlamentare, sipas Dakës, po ndikon që edhe vetë KQZ-ja të mos jetë në gjendje që të mësojë nga gabimet apo të metat e proceseve paraprake.

“Natyrisht që e ka dëmtuar, por gjithsesi unë përsëri mbes pas deklaratës të cilën e kam dhënë, e ajo është se këto zgjedhje janë zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë. Tash ne flasim për organizim të zgjedhjeve, ne asnjëherë nuk mund ta dimë se personat, të cilët angazhohen, janë të tillë. Ata nuk janë staf i yni. Ata janë staf, i cili vjen nga subjektet politike dhe ne nuk e dimë se a do ta bëjnë ndonjë gjë, e cila do ta dëmtojë imazhin. Por, gjithsesi, këto mbesin zgjedhjet më së miri të organizuara, pavarësisht asaj që ka ndodhur ditët e fundit. Bëhet fjalë për një video që qarkullon. Prokuroria tashmë është duke u marrë me atë çështje dhe shpresojmë që shumë shpejt do të dalin edhe ata me një gjetje finale se çka ka ndodhur në të vërtetë.”, ka thënë ajo. 

Daka ka treguar se cfarë duhet që të kemi rinumërim të plotë.

“Një ndryshim tashmë dihet, është publik, që një kandidate për deputete e ka humbur atë mandat, mirëpo ndryshime të tjera nuk ka. Pra, ka qenë një grup i organizuar që ka rregulluar rezultatin për një person të caktuar dhe atë vetëm në një numër jashtëzakonisht të vogël të vendvotimeve. Ndërkaq, sa u përket rezultateve të kandidatëve të tjerë, nuk ka ndryshime të dukshme dhe nuk do të ketë ndryshime në renditje të kandidatëve. Unë s’mund të flas, sepse në fund e kam vetëm një votë në KQZ. Gjithsesi, KQZ-ja do ta shqyrtojë edhe kërkesën e AAK-së që të bëhet rinumërimi i të gjitha votave, por duhet dhënë një arsyetim ligjor se pse kërkohet ky rinumërim i të gjitha votave.”, ka thënë ajo për Radio Evropa e Lirë.

RAPORTO