Kryetari i SBASHK-ut: Nëse nuk reflekton Qeveria, i gjithë arsimi do të jetë i “paralizuar”

02.02.2022

Ministri Sveçla kishte theksuar se ministrisë po i merr kohë analizimi i ligjit, por që kjo sipas tij do të shërbejë që ligji të jetë i zbatueshëm. Po ashtu, ai kishte shtuar se janë eliminuar vërejtjet nga Gjykata Kushtetuese. “Nga raportimi i fundit që kemi pasur në dhjetor, jo më shumë se një muaj, janë […]

Kryetari i SBASHK-ut: Nëse nuk reflekton Qeveria, i gjithë arsimi do të jetë i “paralizuar” Foto: Ilustrim

Ministri Sveçla kishte theksuar se ministrisë po i merr kohë analizimi i ligjit, por që kjo sipas tij do të shërbejë që ligji të jetë i zbatueshëm.

Po ashtu, ai kishte shtuar se janë eliminuar vërejtjet nga Gjykata Kushtetuese.

“Nga raportimi i fundit që kemi pasur në dhjetor, jo më shumë se një muaj, janë zhvilluar takime të shpeshta për finalizim. Janë diskutuar koeficientet për secilën pozitë – në bazë parimore, të drejtë e mosdiskriminuese. Lista duhet të jetë parimore e të reflektojë barazi. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, janë eliminuar pjesët ku është vlerësuar se janë tejkaluar kompetencat e Qeverisë”, ka thënë ai.

Ministri shtoi se me ligjin që planifikohet të miratohet “do të ketë sistem të mirëfilltë, afatgjatë, të zbatueshëm e funksional të pagave dhe shpërblimeve”, kishte deklaruar ministri Sveçla.

Ndërkaq, sindikatat, ajo e Arsimit (SBASHK) dhe e Shëndetësisë nuk po tërhiqen nga kërkesa e tyre për miratimin e Ligjit të Pagave, këto sindikata do të presin edhe këtë muaj që Qeveria e Kosovës t’i përmbushë kërkesat e tyre në të kundërtën ekzekutivi do të përballet me greva.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) I tërë sistemi arsimor do të jetë në grevë dhe i paralizuar, nëse nuk miratohet ky ligj.

“Me 2 prill do të jetë kongresi i SBASHK-ut aty do të raportojmë çfarë është bërë dhe jo bërë për këtë ligj, nëse nuk janë përfill propozimet tona atëherë kongresi do të marr vendime për veprime sindikale, nëse Qeveria insiston të bëjë Ligj sipas tekave të tyre ky kongres mund të sjellë vendim meritor dhe i tërë sistemi arsimorë që nga çerdhet e deri tek universitetet do të jenë në grevë dhe i paralizuar në tërësi”, potencoi Jasharaj.

Gjithashtu, kryetari i SBAShK-ut ka uruar që komisioni i ngritur nga ministri Sveçla do ti dëgjojë propozimet e kësaj sindikate.

“Urojmë që komisioni i ngritur nga ministri Xhelal Sveçla do të komunikojë drejtë me përfaqësuesin e SBASHK-ut dhe do ti dëgjojnë me kujdes propozimet tona, të ketë pajtueshmëri para se të shkoj versioni i ri i Ligjit të ri të Pagave në Qeveri për tu votuar”, tha Jasharaj për FrontOnline.

Përveç Rrahman Jasharajt, edhe kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë (FSSHK), Blerim Syla ka theksuar se reagimet sindikale janë të pashmangshme nëse nuk miratohet ky ligj.

“Ne tani jemi në valën e pandemisë. Këtë muaj pritet që Ministria e Shëndetësisë të na thirrë nëse nuk miratohet Ligji i Pagave dihet çka na pret, ne nuk e dimë çfarë koeficient kanë me ofruar ata kjo është e keqe mirëpo nëse nuk shkon Ligji i Pagave deri në fund të marsit reagimet sindikale janë të pashmangshme sepse janë lodh, reagimet sindikale nuk mund të paralajmërojnë grevë sepse shëndetësia është specifike”, tha Syla.

Ndryshe, ministri i MPB-së kishte deklaruar se kjo ministri po punon me Ministrinë e Financave për të caktuar koeficientin për të pasur barazi në sektorin publik.

Ai kishte paralajmëruar hapjen e debatit publik në muajin shkurt.