Kryetari i SBASHK-ut: Kam vizituar komunat dhe paralajmërova se në janar mund të kemi greva

11.11.2021

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga SBASHK-u pritet të merren vendime për veprimet sindikale që do t’i marrin nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë e Kosovës dhe nëse nuk merret ndonjë vendim lidhur me implementimin e Ligjit të Pagave. Po ashtu, nga kjo sindikatë kanë thënë se do të merret vendimi për veprimet sindikalae […]

Kryetari i SBASHK-ut: Kam vizituar komunat dhe paralajmërova se në janar mund të kemi greva Foto: Ilustrim

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga SBASHK-u pritet të merren vendime për veprimet sindikale që do t’i marrin nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë e Kosovës dhe nëse nuk merret ndonjë vendim lidhur me implementimin e Ligjit të Pagave.

Po ashtu, nga kjo sindikatë kanë thënë se do të merret vendimi për veprimet sindikalae nëse nuk merren vendime të pranueshme lidhur edhe me implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se do diskutohet për veprimet që do të ndërmarrin pasiqë deri tani nuk janë plotësuar kërkesat e tyre.

Ai ka thënë se nuk kanë asgjë konkrete ani pse nga kryeministria janë duke deklaruar se janë duke punuar në heqjen e defekteve që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese në Ligjin e Pagave.

I pari i SBASHK-ut ka thënë se pasiqë ka bërë vizita në komunat e Kosovës, ka bërë propozimin e tij që në muajin janar të shkohet në greva si dhe të bllokohet i tërë sistemi arsimor.

“Unë pasi kam vizituar komunat kam paralajmëruar se në janar mund të kemi greva sikur ishin dikur, duke u bllokuar i tërë sistemi arsimor. Dhe, kryetarët nesër kanë të drejtë të përcjellin çfarë po thonë anëtarësia dhe bashkërisht të marrin vendim se çfarë do të bëjnë tutje”, potencoi ai.

Megjithatë, Jasharaj tha se vendimi final se si do të veprohet tutje do të merret nesër në takim.

“Krejt varet nga takimi i nesërm, dhe mund të kemi njëherë një protestë para grevës. Dhe ideja më e mirë që mbështetet nga të gjithë ashtu do të veprohet. Pra varet se cili do të jetë vendimi definitiv nesër”, tha mes tjerash Jasharaj.

Ndryshe, në njoftimin për media nga SBASHK-u thuhet se: “Kemi nderin t’ju ftojmë në takimin e jashtëzakonshëm që do ta mbajmë me kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve e në të cilin do të bisedohet dhe do të merret vendimi për veprimet sindikale nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë apo nëse nuk merren vendime të pranueshme lidhur me Ligjin e Pagave dhe Implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive”, thuhet në një njoftim për media nga SBASHK-u.

Takimi do të mbahet në sallën e takimeve të Qendrës së Studentëve, te selia e SBASHK-ut, të premten, më 12 nëntor me fillim në orën 14:00.