Kryeministri tregon kur Kosova do ta fitojë pavarësinë e plotë në energjetikë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka shkruar në Facebook se Pavarësia energjetike e Kosovës po përmbyllet.

Haradinaj ka shkruar se përshëndet refuzimin e Operatorëve të Sistemit Transmetues të Evropës Kontinentale pas kërkesës së EMS (Serbi).

“Përshëndes refuzimin e djeshëm nga Operatorët e Sistemit Transmetues të Europës Kontinentale, të kërkesës së EMS (Serbi) për rishikim të vendimit të fundit të këtyre OST-ve, që ka të bëjë me definimin e afatit kohor për operim të KOSTT-it zonë/bllok rregullues brenda Europës kontinentale, jo më larg se 14.04.2020, kur edhe Elektrosever kushtëzohet për të operuar i liçencuar si furnizues konform kornizës ligjore dhe rregullative të Republikës së Kosovës”.

Gjithashtu Haradinaj shtoi se me datën 14.04.2020, KOSTT do të fillojë të operojë si zonë rregulluese brenda Evropës, të pavarur nga Serbia.

“Më këtë datë, KOSTT do të fillojë të operojë si zonë rregulluese brenda Europës, i pavarur nga Serbia, sipas marrëveshjës së re të kyçjes me ENTSO-E. Përgëzoj menaxhmentin e KOSTT-it, për insistimin e vazhdueshëm për pavarësimin energjetik të Kosovës, si dhe mirënjohës të gjitha kompanive homologe me KOSTT-in, miqtë tane amerikanë dhe gjermanë, që përkrahen të drejtën e Kosovës”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.