Kryeministri Kurti: Suksesi i ankandit solar hap rrugë për një të ardhme më të gjelbër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur kënaqësinë e tij për suksesin e ankandit të parë për ndërtimin e kapaciteteve të reja solare me një kapacitet prej 100 megawatt (MW).
Sipas tij, ky arritje e vendos Kosovën në hartën e investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë në nivel evropian.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar se suksesi i këtij projekti është një dëshmi e angazhimit të qeverisë për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme.
“Suksesi i ankandit të parë solar prej 100 MW e ka vendosur Kosovën në hartën e investimeve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Evropë. Tash kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës gjithashtu me kapacitet prej 100 MW, me mbështetje të IFC e USAID. Po ndërtojmë kapacitete të reja, përparojmë ekonominë tonë, rrisim sigurinë energjetike dhe mbrojmë interesat e shtetit”, ka shkruar kryeministri.