Kryeministri Kurti për COVID-19: Jemi në mes të betejës, me disiplinë fitojmë

Sot në orët e hershme të mëngjesit kanë ndërruar jetë dy persona nga Coronavirusi COViD-19, njëri nga Prishtina dhe tjetra nga Korisha e Prizrenit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se vendi ynë është në mes të betejës  me koronavirusin, derisa ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.

“Në ora 3:00, virusi Corona i shkaktoi vdekjen S.N., burrë, nga Prishtina, kurse, në ora 7:10, N.R., grua, nga Prizreni, gjithashtu, ndërroi jetë.

Mëngjesi i sotëm na doli më i hidhuri që nga 13 marsi dhe 22 marsi, ditët kur u shënua rasti i parë i infektimit dhe rasti i parë fatal si pasojë e COVID-19. Tani i kemi tre të vdekur gjithsej. Pra, nuk ka mbaruar asgjë. Në fakt, jemi në mes të betejës. Më shumë se kurrë na nevojitet vendosmëria e secilit qytetar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se vetëm duke qëndruar të pastër, në distancë dhe në shtëpi, mund të fitojmë.

“Më lehtë e më thjesht nuk ka qenë asnjëherë. Me pak disiplinë do t’ia dalim. I kemi 23 të shëruar e 145 raste të konfirmuara. E, nga profesionistët mësojmë se është pritur që numri i të prekurve me virusin të jetë shumë më i madh. Mirëpo, kjo nuk duhet të na relaksojë. Përkundrazi. Po hyjmë në javët kritike të virusit, dhe, ta bëjmë këtë për veten tonë, për më të dashurit tanë e, mbi të gjitha, për heronjtë në vijën e parë të frontit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Më tutje ai ka shkruar se “Duhet ta vonojmë në kohë dhe ulim në përmasë sa më shumë ngritjen e lakores së shpërndarjes së COVID-19”.

RAPORTO