Kryeministri Kurti: Do ta largojmë taksën 100%, do ta zbatojmë reciprocitetin

19.02.2020

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot ka folur rreth taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë, i cili tha se kjo tarifë do të largohet dhe do të zbatohet reciprociteti si masë mbrojtëse për prodhuesit. Kryeministri Kurti këto komente i ka bërë në Konventën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Kurti tha se heqja […]

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot ka folur rreth taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë, i cili tha se kjo tarifë do të largohet dhe do të zbatohet reciprociteti si masë mbrojtëse për prodhuesit.

Kryeministri Kurti këto komente i ka bërë në Konventën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Kurti tha se heqja e tarifës do të bëhet pasi të marrë rekomandimet nga grupi punues që do të formohet nga Ministria e Tregtisë ku pjesë do të jenë organizata që merren me ekonominë dhe prodhuesit vendor.

Ai tha se parimet e reciprocitetit që do të nxirren nga Qeveria e Kosovës do të jenë të bazuara në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe në CEFTA.

“Ministrja Rozeta Hajdari ka bërë edhe disa hapa që na sjellin më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë. Rozeta tashmë ka marrë vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Doagana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës”, tha Kurti.

Po ashtu ai në Konventën e Prodhuesve të Kosovës ka shtuar se “Ky grup do t’i përmbledh të gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim te qeveria. Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit”.

Kurti tha se nuk do të marrë vendime për ekonominë e prodhimtarinë pa diskutuar e konsultuar me prodhuesit e vendit.

Po ashtu një ditë më parë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se brenda disa ditësh do të vendoset për çështjen e tarifës ndaj produkteve të Serbisë.