Kryeministri Kurti: Deri tani mërgata çoi 700 mijë euro

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ku po diskutohet për qeverisjen 100 ditor të tij, ka thënë se Qeveria e përfaqëson popullin në tërësinë e tij.

Kurti është shprehur se në 100 ditët e qeverisjes së tij janë ndalur keqpërdorimet.

Kurti tha se ka marrë disa mesazhe këto ditë të punës.

“Unë jam i mbushur me shpresë më shumë se kurrë si asnjëherë më parë, ajo çka më jep shpresë është shpirti i një populli pas një kohe të gjatë të nënshtrimi, janë këta qytetarë që më japin shpresë që më kanë dërguar qindra mesazhe urimi e inkurajim”, tha ai.

Ai ka lexuar edhe disa mesazhe që sipas tij i kanë dërguar punëtorë të ndryshëm pasi që janë shkarkuar anëtarë e drejtorë të ndërmarrjeve publike.

Kurti tha se ka biseduar edhe më një person që jeton në Gjermani, e i njëjti i ka deklaruar se do të kthehet në Kosovë për të jetuar pas emërimit të kësaj Qeverie.

Sipas kryeministrit në detyrë, mërgata ka dërguar deri më tani 700 mijë euro e 11 mijë teste për koronavirus pritet që të arrijnë këto ditë në Kosovë.

“Mërgata ka dërguar 11 mijë teste, që do të vijnë në ditët në vazhdim,  pako ushqimore e 700 mijë euro”, ka thënë ai.

Po ashtu Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka krahasuar presidentin Hashim Thaçi me pandeminë e Coronavirusit. Ai ka thënë se në 100 ditët e qeverisjes së tij është përballur me pandeminë dhe një president të frustruar që e ka penguar çdo ditë punën e tij.

“Në këto 100 ditë kemi marrë vendime për kursimin e parasë publike dhe ndaljen me keqpërdorimit të pozitave publike, ku pasurohej një elitë e ngushtë politike që e  kontrollonte gjithë shtetin.  Nuk mund të luftohen këto për 100 ditë por,  kemi bërë  hapat e duhur në vendimet e duhura.  Por në këto 100 ditë kishim edhe pengesa: një pandemi globale e  një president të frustruar që pengon çdo ditë punën e qeverisë dhe një opozitë që u fokusua në rrëzimin e qeverisë”, tha ai.

“Secili prej ministrave është dëshmi e gjallë për këtë, duhet të dërgojmë mesazhin që qeveruia përfaqëson popullin në tërësinë e tij. Kabinet të vogël sepse jemi  vend i vogël dhe paga më të vogla sepse jemi vend i varfër, edhe ndërrimi i qeverisë edhe i agjencive që menaxhojnë me paranë publike, shkarkimet në borde nuk janë hakmarrje ndaj dikujt por veprim për të instaluar llogaridhënien dhe ndaljen me abuzimin me paranë publike”, tha Kurti.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.