Kryeministri Ramush Haradinaj, ka dhënë sërish një premtim për kosovarët, ai tani ka vendosur që të ndryshojë dhe të mos merret me data dhe muaj, tani ai kur flet për liberalizimin e vizave po flet për stinët e vitit.

Haradinaj tani po thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë në stinën e vjeshtës, duke ndryshuar kështu deklaratat dhe premtimet e tija.

Fillimisht e dha muajin dhjetor të 2018 si muaji kur do të liberalizohen vizat, pastaj dha fillimin e qershorit të 2019 si muaji final kur BE’ja do të jap dritën e gjelbër dhe fundin e izolimit për kosovarët, por kaluan muaj dhe vite dhe asnjëra nuk ndodhi.

Tani Haradinaj ka filluar që liberalizimin e vizave ta premtojë me stinët e vitit, tani thotë se është vjeshta.

“Unë kam shpresë se në vjeshtë. Shpresoj që do të jemi bashkë. Edhe gjuha në Raportin e Progresit ishte e qartë, thoshte: urgjent të bëhej”, ka thënë ai për RTK.

Haradinaj jo vetëm se premtoi, ai madje edhe uroi kosovarët për vizat.

Pas një publikimi të radhës nga FAZ, ku ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, e ka konsideruar të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë, Haradinaj morri guximin dhe shënoi:

“Kosovarët, tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë. Urime Kosovë!”

Mbetet të shihet se kur kosovarët do t’i japin fund izolimit nga Bashkimi Evropian dhe do të lëvizin pa viza.