Çlirim Gashi
14.06.2019, 19:38

Kryeministri Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë mund të jetë e përjetshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë nuk janë për me zgjidh çështjen e kufirit, por për të zgjedhur çfarë marrëdhëniesh duan të kenë dy shtetet.

Sipas tij, nëse Serbia vazhdon të refuzojë shtetin e Kosovës, atëherë shteti i Kosovës do të vazhdojë taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe sipas tij, kjo taksë mund të jetë përjetshme.

Kryeministri i vendit ka thënë se duhet të zgjidhet marrëdhënia bilaterale Kosovë-Serbi, që sipas tij kjo nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, me kufijtë, por me marrëdhënie diplomatike.

“Çka ka mbet me zgjedh me Serbinë, ka mbet me zgjedh çfarë marrëdhëniesh do të kemi, a duam të njihemi reciprokisht apo jo, nëse duam me u njoft, nënkupton me vendos marrëdhënie diplomatike, me vendos marrëdhënie tregtare, me i sqaruar çështjet e të kaluarës, të pagjeturit, dëmet e luftës, ose nëse nuk duam me u njoft reciprokisht , duam me u refuzu, refuzohemi, po atëherë nuk mundesh me shit në tregun e Kosovës, atij që ia refuzon ekzistencën nuk mundesh me ja marr tregun dhe kjo mundet me qenë e përjetshme. Pra nëse Serbia refuzon ekzistencën tonë, të cilën e kanë pranuar jo vetëm populli i Kosovës, por edhe vendet me të respektuara, si Amerika, vendet e BE-së, pse ne me ia jep tregun, na refuzon ekzistencën. Ne po kërkojmë me ecë përpara me një marrëveshje kornizë, me u ditë për çka kemi me fol, jo me na befasuar dikush”, tha Haradinaj.

Ai tha se është e rëndësishme të sqarohen marrëdhëniet me Serbinë, meqë duan që kohën më të madhe të ja kushtojnë hapjeve të punës dhe qeverisjes së mirë.

Këto deklarata, kryeministri i Kosovës i bëri sot gjatë përurimit të Shtëpisë së Kulturës në Obiliq.