Kryeministri Haradinaj paralajmëron Vetëvendosjen para protestës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj I ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që t’i shterojë të gjitha rrugët institucionale kundër problematikeve si korrupsioni e dorëheqjes e bartësve nga pozitat e larta.

Haradinaj ka shkruar se presioni i rrugës mbi drejtësinë është precedent që nuk i kontribuon vendosjes së saj, ai thotë se Vetëvendosje më mirë është t’i përdorë interpelancat parlamentare.

“Kosova është një shoqëri demokratike ku liria e shprehjes dhe protestës është një e drejtë e garantuar”, shkroi Haradinaj.

“Protesta kundër korrupsionit, me kërkesën për dorëheqjen e bartësve të pozitave të larta në sistemin e drejtësisë, si pushtet i ndarë, është e drejtë qytetare dhe politike”.

“Por, presioni i rrugës mbi drejtësinë është precedent që nuk i kontribuon vendosjes së saj”, tha ndër të tjerash Kryeministri Haradinaj.

“Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt i respektueshëm parlamentar, e ftoj të shterojë të gjitha rrugët institucionale, të përdorë së pari interpelancat parlamentare, tryezat politike dhe debatet me ekspertët për sistemin e drejtësisë”, përfundoi Haradinaj.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, nesër duke filluar nga ora 12:00.


© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.