Haradinaj merr konfirmimin gjerman për heqjen e vizave

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, u takua me kancelarin gjermane Angela Merkel.

“I nderuar me ftesën e kancelares gjermane, Angela Merkel, në Berlin, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në rajonin tonë dhe për nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Sa i përket dialogut me Serbinë theksova se ne jemi për një Marrëveshje Gjithpërfshirëse, ligjërisht obliguese, përfshirë njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues”, ka njoftuar Haradinaj.

Ai gjithashtu ka thënë se e ka falënderuar për qëndrimin e saj sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Me këtë rast e falenderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Nga kancelarja Merkel, thotë tutje Haradinaj, mora konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Haradinaj në Berlin: Kosova është pro dialogut që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka nisur takimet zyrtare në Berlin.

“Gjatë vizitës zyrtare në Berlin, pata një mëngjes pune me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen”, ka njoftuar ai përmes Facebookut.

Me deputetët gjermanë, thotë Haradinaj, “biseduam për zhvillimet e gjithmbarshme në vend dhe rajon, për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë”.

“Kam shprehur qëndrimin se Kosova është pro dialogut për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues. Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv”, ka thënë Haradinaj.

Roli i shtetit gjerman, thotë Haradinaj, ka qenë dhe mbetet i fuqishëm për konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të shtetit tonë dhe aktualisht jemi në pikën kulmore të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë!

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.