Kryeministri Haradinaj: Kemi përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka pritur në takim një grup gazetarësh dhe korrespodent ndërkombëtarë, ku temë diskutimi ishte liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë.

Kryeministri Haradinaj rreth çështjes së dialogut tha se Kosova është një palë serioze për dialog.

Po ashtu, Kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka shënuar progres të madh që nga çlirimi i saj, por vazhdon të ketë edhe shumë sfida përpara.

Por, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur edhe për liberalizimin e vizave, ku tha se shteti ynë i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Diskutim i hapur dhe përmbajtësor me një grup gazetarësh nga Vjena dhe korrespodent ndërkombëtarë që punojnë në kryeqytetin e Austrisë. Duke u përgjigjur në pyetjet e tyre, theksova se Kosova ka shënuar progres të madh në këto vite nga çlirimi i saj, por vazhdon të ketë edhe shumë sfida përpara. Potencova faktin, se vendi ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se jemi të përgjegjshëm karshi detyrimeve tona si shtet”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Po ashtu ndër të tjerash Haradinaj shkroi se: “Sa i përket dialogut, Kosova është palë serioze për dialog të kornizuar, që çon në marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme dhe që rezulton me njohje reciproke, derisa në çështjet e brendshme, po punojmë dhe kemi shënuar progres në fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe zhvillimit ekonomik. Krahas kësaj, jemi orientuar në forcimin e edukimit, me fokus të veçantë edukimin dual”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.