Kryeministri Albin Kurti i ftuar në drekë pune nga ambasadori finlandez Matti Nissinen

para 31 dite

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, ka pritur dje në një drekë pune në rezidencën e tij kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga këshilltarja e tij, Fëllënza Podrimja.

Kryeministri Albin Kurti i ftuar në drekë pune nga ambasadori finlandez Matti Nissinen

Takimi, siç bëhet e ditur në një njoftim të publikuar sot nga Ambasada e Finlandës, është zhvilluar në prani të disa përfaqësuesve të tjerë diplomatikë evropianë, përfshirë ambasadorin e Suedisë Jonas Westerlund, ambasadoren e Holandës Karin Boven, ambasadorin e Belgjikës Grégoire Cuvelier dhe shefin e misionit të Luksemburgut, Eric Dietz.

Sipas ambasadës, takimi kishte karakter pune dhe shërbeu si një platformë për shkëmbim të hapur mbi zhvillimet aktuale në Kosovë, përfshirë procesin e formimit të Kuvendit dhe të institucioneve të reja, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët.

“Diskutimi reflektoi dialogun e ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe partnerëve evropianë, veçanërisht në mbështetje të rrugës integruese të Kosovës në BE dhe NATO”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Takimi vjen në një moment kyç për vendin, pas zgjedhjeve dhe në prag të formimit të institucioneve të reja, ndërsa përfaqësuesit diplomatikë shprehën edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për përparimin euroatlantik të Kosovës.

Etiketat

Ofertat e fundit