Kroacia ofron mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën

Kroacia ofron mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën
Saranda Bytyçi

06.05.2021 / Lajme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë pritur në takime ndaras Ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić Radman.

Në takimin ndërmjet presidentes Osmani dhe ministrit Radman, marrëdhëniet ndërmjet dy popujve dhe shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme që nga periudha e viteve të 90-ta e deri më sot, ndërkohë që të dy palët kanë shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit në aspektin bilateral dhe multilateral.

Presidentja Osmani ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ndërlidhur me liberalizimin e vizave, ngase sipas saj Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, pavarësisht se ka pas dyfish kritere më shumë se sa vendet e tjera.

Ndër tjera, Osmani ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë shumë çështje që i lidhin, ndaj në këtë kontekst ka përmendur numrin e përafërt të personave të zhdukur me dhunë nga regjimi serb gjatë luftërave të viteve të 90-ta, duke shtruar nevojën për bashkëpunim konkret për zbardhjen e fatit të tyre.

Ministri i Punëve të jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić Radman ka theksuar shteti i tij e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

RAPORTO