Kjo nismë, e cila vjen si pjesë e një ofensive diplomatike kroate në Evropën Juglindore, synon të thellojë bashkëpunimin ushtarak mes tre vendeve.
Sipas të përditshmes kroate “Večernji List”, deklarata do të fokusohet në disa aspekte kyçe:
- Rritja e aftësive mbrojtëse: Forcimi i kapaciteteve ushtarake të tri vendeve për t’u përballur me sfidat e sigurisë.
- Bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes: Nxitja e bashkëpunimit mes kompanive të mbrojtjes të tre vendeve.
- Përmirësimi i ndërveprimit ushtarak: Rritja e bashkëpunimit përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
- Kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride: Koordinimi i përpjekjeve për të luftuar kërcënimet jo-konvencionale.
- Mbështetja e integrimit euroatlantik: Përforcimi i angazhimit të përbashkët për integrimin në strukturat euroatlantike.
Megjithëse deklarata synon të forcojë lidhjet ushtarake, ajo nuk përbën një pakt ushtarak. Sipas “Večernji List”, kjo nismë është një angazhim për një bashkëpunim më të thellë dhe më të strukturuar mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Kroacia, si anëtare e NATO-s, ka një histori të bashkëpunimit ushtarak me Shqipërinë. Së fundmi, ajo ka intensifikuar edhe bashkëpunimin me Kosovën, ku mbi 70 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfituar nga trajnimet ushtarake kroate.
