Krasniqi e Haradinaj besojnë se më 2024 do të ketë zgjedhje të parakohshme

03.01.2024

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe kryetari i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, besojnë se këtë vit do të ketë zgjedhje. Krasniqi është i bindur që viti 2024 do të jetë vit i zgjedhjeve, teksa Haradinaj paralajmëron se ato mund të mbahen në pranverë. Në anën tjetër edhe […]

Krasniqi e Haradinaj besojnë se më 2024 do të ketë zgjedhje të parakohshme Foto: Ilustrim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe kryetari i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, besojnë se këtë vit do të ketë zgjedhje. Krasniqi është i bindur që viti 2024 do të jetë vit i zgjedhjeve, teksa Haradinaj paralajmëron se ato mund të mbahen në pranverë. Në anën tjetër edhe pushteti ka përmendur zgjedhjet.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 2024.

Unë besoj që kjo do të ketë ndikim edhe tek veprimet që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për të cilat unë jam i bindur që ne do t’i mbajmë në vitin 2024.” – ka thënë ai.

Më tej, ai ka përmendur edhe sondazhet që po bëhen, e për të cilat Krasniqi ka thënë se nëse Kurti beson në ato sondazhe atëherë “t’i shpallim zgjedhjet”.

Sondazhi i vetëm që vlen është sondazhi i kutisë së votimit dhe dita e zgjedhjeve… Nëse kryeministri vërtet beson në sondazhe të tilla, nëse ai përnjëmend mendon se populli ende vazhdon që të mbështesë, unë e ftoj që t’i shpallim zgjedhjet qysh sot.” – ka thënë i pari i PDK-së.

Për zgjedhje ka folur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka paralajmëruar se zgjedhjet mund të mbahen në pranverë të këtij viti.

Haradinaj u shpreh se partitë politike “po i ndiejnë zgjedhjet”, duke aluduar në sondazhet që po bëhen e për të cilat ka thënë se partia e tij “asnjëherë nuk jemi mërzitur për këto sondazhet apo rezultatet e porositura.”

Tutje, Haradinaj theksoi se “të gjithë po bëhen gati për zgjedhje”, derisa shtoi se tashmë veç se kanë hyrë në fushatë.

Kjo i bie se ne edhe ashtu në fund të vitit që vjen do t’i kemi zgjedhjet me kalendar të rregullta, por ato mund të mbahen më herët në pranverë. Kjo që po ndodh është aromë zgjedhje… Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi. Kështu ndodhi mashtrimi me zotëri Kurti atëherë.” – u shpreh ai.

Ndërkohë, për punë të zgjedhjeve kanë folur edhe nga pushteti.

Para një jave, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëherit zyrtar i lartë në Lëvizjen Vetëvendosje nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Ai ka thënë se në zgjedhje do të duhet të shkohet për shkak të zhvillimeve që e presin Kosovën.

Është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nuk mund ta përjashtoj mundësinë për zgjedhje të parakohshme. Mua më duket që mandati, nëse qeveria mendon se duhet të shkojë deri në fund, kush jam unë t’iu përzihem. Mirëpo, për shkak të vitit 2024 dhe zhvillimeve që i përmenda, do të dëshiroja, ky është mendim imi më privat, që Kosova të mos kalonte nëpër këto procese, e që këto procese të ndikojnë në legjitimitetin e pushtetit të ardhshëm në Kosovë.” – deklaroi ai në Klan Kosova.

Do të dëshiroja më tepër, është alternativa që e mendoj, që do të ishte shumë më e dëshirueshme… këtë nuk e kam për Lëvizjen vetëvendosje, e kam për Kosovën, do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit të ri të përballet me ato sfida, e jo ato sfida të orientojnë karakterin e legjitimitetit” – u arsyetua Konjufca.