KQZ vendos për rinumërimin e votave në dhjetë vendvotime

09.10.2019

Ka përfunduar i gjithë procesi i numërimit të votave nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), por tri subjekte politike kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për rezultatet preliminare. LDK, Nisma dhe PDK kishin bërë kërkesë në PZAP që të bëhet rinumërimi i votave në tërë Kosovë për shkak se mendohet të jetë bërë ndonjë gabim teknik apo […]

KQZ vendos për rinumërimin e votave në dhjetë vendvotime Foto: Ilustrim

Ka përfunduar i gjithë procesi i numërimit të votave nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), por tri subjekte politike kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për rezultatet preliminare.

LDK, Nisma dhe PDK kishin bërë kërkesë në PZAP që të bëhet rinumërimi i votave në tërë Kosovë për shkak se mendohet të jetë bërë ndonjë gabim teknik apo edhe ndonjë manipulim me vota, por dje KQZ ka vendosur që të mos bëhet asnjë rinumërim, por siç duket sot ky institucion ka ndryshuar mendjen.

Por tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të bëhet rinumërimi i dhjetë vendvotimeve në tërësi.

Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka thënë se pas vendosjes në karantinë të këtyre kutive dhe shqyrtimit të tyre ka kërkuar që të rinumërohen, duke mos cekur se për cilat vendvotime bëhet fjalë.

“Nuk janë të plotësuara formularët e kandidatëve, e në rastet tjera mungojnë formularët e kandidatëve”, ka thënë Ahmetaj, raporton KTV.

Ilir Gashi, përfaqësues i PDK-së në KQZ, ka thënë se është një kategori tjetër ku votat janë përmirësuar.

Ai ka pyetur se si janë përmirësuar ato dhe me çfarë të drejte. Sipas tij, edhe për këto vendvotime duhet të vijë rekomandimi për rinumërim.