KQZ thekson fokusin te Zgjedhjet Lokale të Tetorit, nuk komentohen spekulimet për zgjedhje të parakohshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) aktualisht është plotësisht i përqendruar në përgatitjet për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale në tetor 2025, ndërsa nuk ka diskutuar fare për spekulimet mediatike rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklaratë për RTV21.
“Zhvillimet politike KQZ nuk i komenton dhe sa i takon KQZ-së ne organizojmë një proces zgjedhor pasi ai të jetë shpallur nga institucioni përkatës siç është presidenti,” theksoi Elezi.
Ai shtoi se KQZ-ja nuk ka diskutuar për asnjë nga “përflitjet nëpër media ose opinione të ndryshme që shfaqen për një proces të ri zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, dhe natyrisht në këtë drejtim as nuk ka diskutuar për një proces të ri zgjedhor apo impaktin që mund të ketë.”
E gjithë puna e KQZ-së në këtë kohë është e orientuar drejt organizimit të zgjedhjeve lokale, të cilat kërkojnë angazhim të madh, pasi përfshijnë dy lloje zgjedhjesh: për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale.
Elezi sqaroi se së shpejti do të hapet edhe periudha e aplikimit të subjekteve politike për certifikim. Ai theksoi se, ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet lokale numri i kandidatëve është shumëfish më i lartë, gjë që sjell specifika dhe një ngarkesë më të madhe në organizim. Për këtë arsye, i gjithë fokusi i KQZ-së është në këtë drejtim.