Dje pasdite rreth orës 14:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve, ndërsa sot pritet të bëhet publikimi i rezultatit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se rinumërimi ka përfunduar në orën 14:00 të ditës së diel prandaj duhet pritur afatin ligjor 24 orësh para se të publikohet rezultati.

Afatin ligjor 24 orësh duhet pritur pasi që mund të ketë ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me administrimin e numërimit në QNR.

“Rinumërimi është përmbyllur në orën 14:00 të ditës së diele, prandaj duhet të presim afatin ligjor 24 orësh nëse ka ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR, para se të procedojmë me publikimin e rezultateve pas procesit të rinumërimit”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.