KQZ me standarde të dyfishta për votat e diasporës

12.10.2019

Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e sotme nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me mbi 4 mijë e 500 dërgesat që kanë arritur pas afatit ligjor nga mërgata dhe për 3 mijë e 782 zarfeve të ardhura nga Serbia të cilat janë dorëzuar fizikisht dhe jo përmes postës. Mosmarrjen e ndonjë vendimi organizata Germin po […]

KQZ me standarde të dyfishta për votat e diasporës Foto: Ilustrim

Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e sotme nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me mbi 4 mijë e 500 dërgesat që kanë arritur pas afatit ligjor nga mërgata dhe për 3 mijë e 782 zarfeve të ardhura nga Serbia të cilat janë dorëzuar fizikisht dhe jo përmes postës.

Mosmarrjen e ndonjë vendimi organizata Germin po e quan si standard të dyfishtë që KQZ përdorë për të mos pranuar pakot e diasporës. Në të njëjtën kohë kjo organizatë po kërkon që pakot e ardhura nga Serbia të hetohen.

Liza Gashi nga kjo organizatë, për KosovaPress, thotë se KQZ me mosmarrjen e vendimit po i krahason votat e mërgatës me ato të ardhura nga Serbia.

“Mendoj që është standard i dyfishtë që KQZ vazhdimisht e ka përdorur për mospranimin e pakove të diasporës, duke i relativizu gjithë procesin me idenë që pakot e diasporës janë njëjtë si Serbia. Jo, pakot e diasporës kanë ardhur në mënyrë individuale dhe janë dërguar. Mos të harrojmë bashkatdhetarët tanë kanë bërë pagesë të madhe, po në të njëjtën kohë janë regjistruar pa marrë parasysh çfarë procesi dekurajues iu kemi qitë përpara. Do të thotë duhet me e marrë për bazë faktin që ata i kanë hy një procesi i cili u kanë i stërzgjatur e para, e dyta në momentin kur e kanë dërguar votën, fletëvotimi që nuk ka ardhur në kohë nuk është për fajin e tyre, mbetet në pjesën operacionale që ka pasur pengesa, një prej rasteve është falimentimi i ‘Adria’ dhe pengesa postare që njerëzve nuk iu ka mbërritur vota në kohë”, tha ajo.

Ajo thotë se gjatë procesit të monitorimit kanë vërejtur se ato zarfe që kanë ardhur me vonesë janë nisur me postë rreth dy javë para datës së zgjedhjeve, duke potencuar se një numër i konsiderueshëm i tyre janë dërguar me datë 19, 20 dhe 21 shtator.

Gashi ka ripërsëritur kërkesën e tyre që këto vota të ardhura me vonesë të vlerësohen dhe të numërohen, pasi sipas saj, mospranimi i votave do të nënkuptonte cenim të të drejtës kushtetuese për të votuar.

Sa i përket zarfeve të pranuara nga Serbia, Liza Gashi nga Germin, thotë se të gjitha zarfet kanë ardhur me madhësi, ngjyrë dhe mbishkrim të njëjtë, gjë që lë hapësirë për dyshim se këto zarfe janë plotësuar dhe dërguar në mënyrë të orkestruar në adresë të KQZ-së.

Po ashtu, ajo thotë se ka edhe një jokonsistencë në dokumentet identifikuese brenda këtyre zarfeve, duke hasur në dokumente të cilat identifikojnë dy persona të ndryshëm nga ana e përparme dhe ajo e pasme e kartës identifikuese.

Gashi kërkon nga KQZ që të hetojë të gjitha dërgesat që kanë ardhur nga Serbia, pasi thotë se ato nuk janë vota të vullnetit të një qytetari.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror Zgjedhor nuk arriti të merrej ndonjë vendim rreth votave të arritura me vonesë nga mërgata dhe atyre nga Serbia, pasi që disa nga anëtarët e KQZ-së kërkuan që të respektohet ligji në të dyja rastet. Por, pati edhe anëtarë të cilët kërkuan që votat e mërgatës të procedohen si të rregullta, ndërsa ato nga Serbia të hetohen.