Lajme

KQZ-ja në pritje të konfirmimit nga Gjykata Supreme për rinumërimin e 1472 vendvotimeve

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) po pret përgjigje nga Gjykata Supreme lidhur me vendimin e PZAP-së për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se posa të kenë konfirmimin e Supremes se nuk ka ndonjë ankesë ndaj vendimit të PZAP-së, do të fillojnë me rinumërimin e këtyre vendvotimeve.

“Aktualisht jemi në pritje të konfirmimit nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë ankesë lidhur me vendimin e PZAP-it për rinumërim. Sapo të kemi konfirmimin do t’iu mbajë të informuar lidhur me hapat e mëtejshëm të KQZ-së”, ka thënë Elezi për EkonomiaOnline.

PZAP-ja ka marrë vendim që pas 52 ankesave që janë bërë, të ketë rinumërim të 1472 vendvotimeve.Po ashtu PZAP, ka marrë vendim në favor të ankesës së koalicionit Nisma-AKR-PD lidhur me votat e Serbisë.

“Lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranoj të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Javën e kaluar KQZ bëri shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, ndërkaq Nisma kundërshtoi këto rezultate duke akuzuar KQZ-së se i ka fabrikuar.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.