KQZ-ja, e gatshme për zgjedhje

21.08.2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mirëpo ende i mungon një anëtar nga radhët e koalicionit PAN e kjo gjë nuk pritet ta pengojë procesin zgjedhor. Në bazë të praktikave të mëhershme, KQZ-së në total i duhen 4 milionë euro për ta mbuluar koston e zgjedhjeve.  Zëdhënësi […]

KQZ-ja, e gatshme për zgjedhje Foto: Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mirëpo ende i mungon një anëtar nga radhët e koalicionit PAN e kjo gjë nuk pritet ta pengojë procesin zgjedhor. Në bazë të praktikave të mëhershme, KQZ-së në total i duhen 4 milionë euro për ta mbuluar koston e zgjedhjeve. 

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për “Zërin” ka theksuar se ky institucion është i gatshëm për zgjedhje, ndonëse ende nuk është caktuar kostoja e shpenzimeve për organizimin e tyre.

“KQZ-ja është në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës dhe në këtë situatë, për aq sa i takon KQZ-së, ne jemi në gjendje gatishmërie për të filluar me përgatitjet intensive, pasi të udhëzohemi për këtë gjë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore kurdo që i kërkohet”, ka thënë ai.

Ndërkohë ai ka theksuar se meqë viti 2019 nuk është vit zgjedhor, nuk është paraparë ende kosto buxhetore. Mirëpo ai ka theksuar se KQZ-ja do të veprojë në bazë të praktikave të viteve të kaluara.

“Viti 2019 nuk është vit zgjedhor, çka do të thotë se në Ligjin e Buxhetit për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Duke u mbështetur edhe në praktikat e kaluara, pra kur kemi zgjedhje të jashtëzakonshme, KQZ-ja bën kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare për mbajtjen e zgjedhjeve. Kështu kemi vepruar së fundmi me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave, të cilat u mbajtën më 19 maj të këtij viti. Nuk kemi akoma një dokument të konkretizuar, pasi jemi në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës dhe KQZ-ja do të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore që ka”, ka shtuar ai.