KQZ-ja çdo vit u’a ndan partive mbi 4 milionë euro, në tri vjetët e ardhshme parashikohet më pak buxhet

25.06.2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë ditës së sotme ka mbajtur mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje të KQZ-së është miratuar raporti vjetor financiar për fondin për mbështetje të subjekteve politike për vitin 2020. Çdo vit ky institucion4 milionë e 200 mijë euro u’a ndan subjekteve politike për mbështetje. Kështu të paktën ka bërë të […]

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë ditës së sotme ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje të KQZ-së është miratuar raporti vjetor financiar për fondin për mbështetje të subjekteve politike për vitin 2020.

Çdo vit ky institucion4 milionë e 200 mijë euro u’a ndan subjekteve politike për mbështetje.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Arianit Elshani nga Këshilli për Buxhet dhe Financa.

Gjatë kësaj mbledhje u bë edhe shqyrtimi dhe miratimi i draft-planit të buxhetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitet 2022 deri më 2024.

Elshani nga Këshilli për Buxhet dhe Financa theksoi se mbi 6 milionë euro buxhet janë paraparë për vitin 2022, njëashtu edhe për vitin 2023, ndërsa për vitin 2024 po planifikohen mbi 5 milionë euro.

Ai tha se në raport me nevojat e KQZ-së buxheti për vitin 2022 është tejkaluar.

“Në raport me nevojat e KQZ-së dhe në aspekt të resurseve humane buxhetin e planifikuar për vitin 2022 e kemi tejkaluar”.

“Projektet kapitale kemi vetëm 2 në vitin 2022. Për vitin 2022 kemi paraparë 6 milionë  e 210 mijë euro, për vitin 2023 6 milionë e 193 mijë euro si dhe për vitin 2024, 5 milionë e 843 mijë euro”.

Ndryshe gjatë kësaj mbledhje u bë e ditur se së shpejti do të publikohet dosja e paaudituar të informimit publik për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt të këtij viti.

Në këtë dosje do të mësohen donatorët e të gjitha subjekteve politike për shumat kumulative më shumë se 100 euro si dhe raportet e publikimit financiare të fushatës së partive të dorëzuara te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Gjithashtu ky institucion do të bëjë publike edhe raportet e publikimit financiar të kandidatëve që tashmë janë zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës.

KQZ ka bërë të ditur se publikimi do të shoqërohet edhe me teksin shpjegues që raportet financiare të fushatës zgjedhore janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime, në momentin që bëhet procesi i auditimit.