KQZ hap aplikimet për subjekte politike dhe kandidatë nga 26 qershori
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 26 qershor do të hapë afatin për aplikim të subjekteve politike që do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklaratë për KosovaPress, bëri të ditur se përveç dorëzimit të aplikimit dhe plotësimit të kushteve të tjera, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve në garën për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Mijëra kandidatë pritet t’i nënshtrohen procesit të verifikimit para se të certifikohen për të kërkuar votën e qytetarëve.
Elezi theksoi se KQZ ka planifikuar një afat prej 49 ditësh për subjektet politike për të përmbushur këto kërkesa. Periudha e aplikimit do të shtrihet nga 26 qershor deri më 13 gusht 2025.
“Duke filluar nga 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025,” shpjegoi Elezi. Ai shtoi se, për dallim nga koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, partitë politike të regjistruara janë automatikisht të certifikuara, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna do të garojnë dhe të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për komunat përkatëse,” tha Elezi.
Lidhur me pyetjen nëse personat e dënuar për vepra penale mund të kandidojnë, Elezi sqaroi se kjo çështje rregullohet nga neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. “Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse ‘është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv’,” tha Elezi. Ai theksoi se KQZ do të kërkojë nga KGjK-ja të verifikojë listën e kandidatëve për të siguruar përputhshmërinë me këtë kufizim ligjor.