Valmir Elezi KQZ: Brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve asgjësohet materiali zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në afat prej gjashtëdhjetë ditësh pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të marrë vendim për shkatërrimin e materialit zgjedhor.

Valmir Elezi, zëdhënës i këtij institucioni tha se asgjësimi i materialit zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, llogaritet të jetë faza e fundit e procesit zgjedhor.

“Pas çdo procesi zgjedhor, materiali i ndjeshëm zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet shkatërrohet. Kjo llogaritet të jetë faza e fundit e një procesi zgjedhor”.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme për shkatërrimin e materialit zgjedhor, vendimi merret nga KQZ-ja brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Në përputhje me ligjin, KQZ-ja do të marrë këtë vendim dhe sigurisht se do të bëhet publik”.

Elezi më tej ka sqaruar se nuk shkatërrohet i gjithë materiali zgjedhor. Të asgjësohet nuk lejohet materiali që është pjesë e hetimit të prokurorisë, kurse një pjesë ruhet për qëllime të trajnimit të stafit i cili angazhohet në proceset e ardhshme zgjedhore.

LEXO EDHE:  COVID-19, Zemaj paralajmëron mbyllje të sërishme

“Jo i gjithë materiali i ndjeshëm zgjedhor shkatërrohet. Materiali i cili ruhet është objekt hetimi i Prokurorisë së Shtetit dhe ne kemi obligim që ta ruajmë deri në përfundimin e të gjitha procedurave”.

“Gjithashtu, edhe një pjesë tjetër e materialit zgjedhor ruhet dhe kjo bëhet për qëllime të trajnimit të stafit i cili angazhohet në proceset e ardhshme zgjedhore”.

Problematike në këto zgjedhje është vlerësuar numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme. Mbi 40 mijë e 732 fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme. Komunat që prijnë për nga numri i fletëvotime të pavlefshme, sipas KDI-së janë Skenderaj, Novobërda, Drenasi dhe Podujeva.

Kurse pas certifikimit të rezultateve LVV, si parti e para në këto zgjedhje, ka marrë 221.001 vota (26,270%), LDK e dyta me 206.516 vota (24,548%), PDK e treta me 178.637 vota (21,234%), koalicioni AAK-PSD 96.872 vota (11,515%).

Ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD e ka kaluar pragun duke marrë 42.083 vota, apo në përqindje 5,002%./EO/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.