KQZ: Aprovohen 29 mijë vota nga diaspora, ndërsa refuzohen 11 mijë e 840
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar votat e 76 vendvotimeve nga 494 vendvotime sa kanë nisur të rinumërohen të hënën pas vendimit që ka marrë KQZ-ja. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi të martën në një konferencë për medie. “Deri më tani janë rinumëruar 15% apo 76 vendvotime […]
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar votat e 76 vendvotimeve nga 494 vendvotime sa kanë nisur të rinumërohen të hënën pas vendimit që ka marrë KQZ-ja.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi të martën në një konferencë për medie.
“Deri më tani janë rinumëruar 15% apo 76 vendvotime nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre dhe që u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës. Arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”, ka thënë Elezi.
Ai ka bërë të ditur se në QNR është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuar me fletëvotime nga jashtë vendit.
“Në këtë qendër, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës”.
“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara. Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme dhe si në vijim:
5 mijë e 78 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 3 mijë e 836 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 908 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 mijë e 551 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 467 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”, ka thënë Elezi./eo/