KPF cakton mbledhjen e radhës, në rend dite çështje kyçe për pronën komunale dhe buxhetin 2025

11.02.2026

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka caktuar mbledhjen e radhës, në të cilën do të shqyrtohen një sërë pikash të rëndësishme që lidhen me funksionimin institucional, menaxhimin e pronës komunale dhe raportimin financiar.

Në rend dite fillimisht është paraparë miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar, ndërsa më pas do të shqyrtohet projekt-vendimi për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).Po ashtu, KPF do të diskutojë dhe shqyrtojë projekt-vendimet për miratimin e raportit të komisionit për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës, si dhe formimin e komisionit për zbatimin e procedurave dhe vlerësimin e ofertave për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të kësaj prone.

Në këtë mbledhje do të shqyrtohen edhe projekt-vendimet për formimin e komisionit për shqyrtimin e ankesave, si dhe formimin e komisioneve komunale të aksionarëve për Ndërmarrjet Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” dhe “Eko-Regjioni”.

Një pikë e rëndësishme e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i projekt-vendimit për miratimin e raportit financiar të ekzekutimit dhe administrimit të buxhetit të Komunës së Suharekës për periudhën janar–dhjetor 2025.Në fund, do të shqyrtohet edhe raporti i komisionit për mbikëqyrjen e kontratave në Zonën Industriale në Shirokë.

Mbledhja pritet të adresojë çështje me rëndësi të veçantë për transparencën, menaxhimin e pronës publike dhe zhvillimin institucional të Komunës së Suharekës.