“Kosovo in NATO”! Cilat janë sfidat e anëtarësimit?

03.03.2022

Autoritetet më të larta të Kosovës dhe partitë politike po kërkojnë nga faktorët ndërkombëtarë që të mbështesin Kosovën në përshpejtimin e anëtarësimit të saj në NATO. Rreth 3 mijë e 800 trupa të KFOR-it kujdesen aktualisht për sigurinë në Kosovë. Por, cilat janë kriteret për anëtarësim në NATO? Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, […]

“Kosovo in NATO”! Cilat janë sfidat e anëtarësimit? Foto: Ilustrim

Autoritetet më të larta të Kosovës dhe partitë politike po kërkojnë nga faktorët ndërkombëtarë që të mbështesin Kosovën në përshpejtimin e anëtarësimit të saj në NATO.

Rreth 3 mijë e 800 trupa të KFOR-it kujdesen aktualisht për sigurinë në Kosovë.

Por, cilat janë kriteret për anëtarësim në NATO?

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësja e NATO-s, Daniele Riggio, tha se kriteret për anëtarësimin në NATO janë të përfshira në Nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit, ku theksohet se “palët, me marrëveshje të njëzëshme, mund të ftojnë çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut për t’anëtarsuar në këtë Traktat”.

Por cilat janë pengesat e Kosovës për anëtarësim në NATO?

“Pengesa më e madhe është fakti që NATO-ja edhe më tutje ka një qasje neutrale nëse jo edhe pasive në raporte formale sa i përket bashkëpunimit me Kosovën, për faktin që katër shtete të NATO-s edhe më tutje nuk e njohin Kosovën dhe për të qenë anëtare e NATO-s duhet domosdo me pas konsensus të plotë, të paktën mos të ketë vota kundër”, thotë për Zërin e Amerikës, drejtori i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, Mentor Vrajolli.

Zoti Vrajolli thotë se kohët e fundit ka tendenca që Rusia përmes aleatëve të saj në Ballkanin Perëndimor të nxise destabilizim.

“NATO duhet të jetë syhapur dhe t’u hap rrugën këtyre vendeve tjera të cilat nuk janë anëtare të NATO-s, që të jenë pjesë e NATO-s me qëllim që të sigurohet që këto tendenca me domosdoshmëri kanë me rezultu me tendenca të dështume”, tha ai.