Kosovarët vazhdojnë të mbajnë armë pa leje, Sveçla: Jemi në fazën e draftimit të ndryshimeve ligjore për armët

03.10.2021

Motivet deri te ardhja e kryerjes së vrasjes janë nga më të ndryshme. “Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë. Disa raste te vrasjeve janë me kryes të njohur kurse disa nga […]

Kosovarët vazhdojnë të mbajnë armë pa leje, Sveçla: Jemi në fazën e draftimit të ndryshimeve ligjore për armët Foto: Ilustrim

Motivet deri te ardhja e kryerjes së vrasjes janë nga më të ndryshme.

“Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë. Disa raste te vrasjeve janë me kryes të njohur kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia ne bashkëpunim me Prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh.”, kanë thënë nga policia.

Këto vrasje në shumicën e rasteve po kryhen më armë pa leje, të cilat i posedojnë qytetarët në Kosovë.

Derisa numri i këtyre armëve nuk është edhe i vogël.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, diku rreth 250 mijë armë të palegalizuara janë në duart e kosovarëve.

“Në bazë të një hulumtimi në vitin 2015, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është më i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale ”, kanë thënë nga MPB.

Sipas këtij institucioni çdo vit konfiskohen rreth 1 mijë e 500 armë pa leje.

MPB-ja është duke menduar një strategji për uljen e numrit të armëve jo legale.

“MPB është duke punuar intensivisht në hartimin dhe zbatimin e politikave të mira për zvogëlimin e armëve të paligjshme. Normalisht se është dukuri shqetësuese mbajtja dhe përdorimi i armëve në mënyrë ilegale.

MPB ka realizuar një periudhë të legalizimit të armëve (ku janë dorëzuar 2000 kërkesa) me qëllim të zvogëlimit të armëve të mbajtura në mënyrë ilegale dhe ka në plan sa më shpejt që është e mundur të shpall fushatat e legalizimit dhe dorëzimit të armëve varësisht nga sipas ecurisë të hartimit të politikave”, kanë deklaruar nga kjo Ministri.

Nga qeveria thonë se janë në fazën e draftimit të ndryshimit të ligjit dhe kodit penal për armët, ku masat ndëshkimore do të jenë më të larta.

Për posedim të armëve, sipas ligjit, qytetari duhet të ketë aftësi të plotë ligjore për veprim, të posedojë aftësi psiko-fizike, të mos paraqesë rrezik për vetveten, për rendin publik dhe sigurinë publike, të ketë të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës dhe disa kushte tjera që përcaktohen me ligj.

Megjithatë, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj thotë se duhet të ketë ligje më rigoroze sa i përket pajisjes me armë me leje.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme është shqetësuese mbajtja dhe përdorimi i armëve në mënyrë ilegale. Në periudhën e legalizimit nga data 17 dhjetor 2018, deri më 17 shtator 2019, janë paraqitur rreth 2 mijë kërkesa për legalizim të armëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla derisa ka folur për numrin e vrasjeve në vend, thotë se ka numër të madh të armëve pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës. Ai thotë se janë në fazën e draftimit të ndryshimeve ligjore për armët dhe masave ndëshkimore.

“Ndër to është edhe fakti se ka një numër të madh të armëve pa leje në duart e popullatës tonë, ne duhet që jo vetëm të ndërmarrim veprime si Polici e Kosovës dhe si MPB, por ne tashmë kemi edhe iniciativat e para për të ndryshuar ligjin për armët dhe për të ndryshuar po ashtu edhe kodin penal me të cilin masat ndëshkimore ndaj atyre të cilët mbajnë armë pa leje të jenë më të larta dhe të mos përfundojnë vetëm në dënime mandatorë, por sikurse të gjitha shtetet në Evropë dhe të gjitha shtetet në rajon, ato masa të jenë më të ashpra në mënyrë që të dekurajojmë mbajtjen e armës nga qytetaret e Republikës të Kosovës…Tashmë jemi në fazat e draftimit të ndryshimeve ligjore, unë shpresoj që do të jetë ndër veprimet e para të këtij fund-viti dhe normalisht pastaj mbetet në dorë të Parlamentit që të procedojë sa më shpejt që është e mundshme këto ndryshime ligjore”, thotë ai për KosovaPress.

Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, ku parashihet gjobë deri në 7500 euro. Veç tjerash, parashihet edhe dënimi me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Bazuar në Kodin Penal, parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

Ligji për Armët rregullon kushtet për blerjen, posedimin, armëmbajtjen, ruajtjen, prodhimin, çaktivizimin, riparimin, e shumë çështje tjetra. Aty kategorizohen armët A, B, C dhe D varësisht prej karakteristikave të tytave, gjatësisë së armës, mekanizmit qitës dhe disa karakteristikave të tjera./KP/Shumë kosovarë vazhdojnë të mbajnë armë pa leje, Sveçla: Jemi në fazën e draftimit të ndryshimeve ligjore për armët