Kosovarët paguan afër 300 milionë euro interesa në banka këtë vit

29.12.2023

Qytetarët e Kosovës, nga janari deri në muajin nëntor të këtij viti, kanë paguar afër 300 milionë euro vetëm për interes të kredive të marra nëpër banka. Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin nëntor të vitit 2023, të hyrat totale në këtë sektor ishin […]

Kosovarët paguan afër 300 milionë euro interesa në banka këtë vit Foto: Ilustrim

Qytetarët e Kosovës, nga janari deri në muajin nëntor të këtij viti, kanë paguar afër 300 milionë euro vetëm për interes të kredive të marra nëpër banka.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin nëntor të vitit 2023, të hyrat totale në këtë sektor ishin në vlerë të 394.9 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 294.3 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi.

Pra, nga gjithsej të hyrat totale të këtij sektori që i afrohet shumës prej 400 milionë eurove, 300 milionë prej tyre janë të hyra vetëm nga interesi, të paguara nga klientët që kanë marrë kredi nëpër bankat komerciale në vend. Ndërkaq, pjesa tjetër e të hyrave, kryesisht i atribuohet shërbimeve të përgjithshme bankare ndaj klientëve.

Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin në vlerë të 247.7 milionë eurove, kurse shpenzimet për interes ishin në vlerë të vetëm 37.0 milionë eurove.

Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin nëntor të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 886.0 milionë nga 4. 833.9 milionë euro sa ishte vlera e tyre në tetor. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 899.5 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 952.2 milionë tjera për korporatat jo financiare dhe 17.0 milionë euro për korporatat tjera financiare.

Ndërkohë, normat efektive të interesit në muajin nëntor mbetën në vlerën 6.4% sa ishin në tetor, nga 6.5% sa ishin në shtator dhe 6.7% sa ishte norma në kredi në muajin gusht të këtij viti. Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë mbeti 6.2% ashtu siç ishte në tetor, kurse për ato konsumuese u rrit në 6.6% nga 6.5% sa ishte në tetor, derisa ajo për kreditë për korporatat jofinanciare mbeti në 6.6% sikurse në muajin tetor të këtij viti.

Ndryshe, vetëm nga janari deri në muajin nëntor 2023, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur që t’i shtojnë fitimet e tyre për gjithsej 147.2 milionë euro. Për vetëm dy muaj, të njëjtat kanë fituar 24.2 milionë euro më shumë, pasi deri në fund të shtatorit – profiti i tyre neto ishte 123.7 milionë euro.

Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 7 miliardë e 174.9 milionë euro.

Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2022, fitimi neto 12 mujor i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 140.3 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80-100 milionë euro. Ndërsa këtë vit, kur jemi ende pa statistikat për fitimet e muajit dhjetor, pritet që fitimi i tyre të tejkalojë edhe 155 milionëshin.