Që nga muaji janar e deri në muajin shtator 2021 janë kryer 19 vrasje në Kosovë, ku 12 prej këtyre vrasjeve konsiderohen si vrasje të rënda.
Ndërsa në vitin 2020, në të dhënat që ka siguruar GazetaInfokus nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se kishin ndodhur 27 vrasje.
Motivet deri te ardhja e kryerjes së vrasjes janë nga më të ndryshme.
“Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë. Disa raste te vrasjeve janë me kryes të njohur kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia ne bashkëpunim me Prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh.”, kanë thënë nga policia në një përgjigje për Infokus.
Këto vrasje në shumicën e rasteve po kryhen më armë pa leje, të cilat i posedojnë qytetarët në Kosovë.
Derisa numri i këtyre armëve nuk është edhe i vogël.
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, diku rreth 250 mijë armë të palegalizuara janë në duart e kosovarëve.
“Në bazë të një hulumtimi në vitin 2015, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është më i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale ”, kanë thënë nga MPB për Infokus.
Sipas këtij institucioni çdo vit konfiskohen rreth 1 mijë e 500 armë pa leje.
MPB-ja është duke menduar një strategji për uljen e numrit të armëve jo legale.
“MPB është duke punuar intensivisht në hartimin dhe zbatimin e politikave të mira për zvogëlimin e armëve të paligjshme. Normalisht se është dukuri shqetësuese mbajtja dhe përdorimi i armëve në mënyrë ilegale.
MPB ka realizuar një periudhë të legalizimit të armëve (ku janë dorëzuar 2000 kërkesa) me qëllim të zvogëlimit të armëve të mbajtura në mënyrë ilegale dhe ka në plan sa më shpejt që është e mundur të shpall fushatat e legalizimit dhe dorëzimit të armëve varësisht nga sipas ecurisë të hartimit të politikave”, kanë deklaruar nga kjo Ministri.