Prej tyre, 15 persona janë ekstraduar nga Kosova drejt shteteve të huaja, ndërsa 24 janë sjellë nga shtetet e tjera në Kosovë. Këto të dhëna u bënë të ditura nga Policia e Kosovës gjatë ditës së enjte, ku u theksua edhe bashkëpunimi i ngushtë me Shqipërinë në këtë drejtim.
Një rast i fundit përfshinte ekstradimin nga Shqipëria të një shtetasi kosovar të shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare. Pas përfundimit të procedurave të rregullta, ai u mor nga Njësia e Mbrojtjes së Afërt për procedura të mëtejshme. Policia vlerëson se ky bashkëpunim ndërshtetëror ka sjellë shpeshherë rezultate konkrete dhe efikase në fushën e sigurisë.
Vlerësimi i ekspertëve të sigurisë
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Refki Morina, e cilëson punën e institucioneve të Kosovës si pozitive, duke theksuar se procesi i ekstradimeve zhvillohet përmes Ministrisë së Drejtësisë, në koordinim me gjykatat.
“Kjo bëhet vetëm në rastet kur veprat e kërkuara për ekstradim përputhen me Kodin Penal të Kosovës dhe kryesisht me shtetet me të cilat kemi marrëveshje bilaterale,” theksoi ai.
Ndërkaq, eksperti i sigurisë Valdet Hoxha, theksoi sfidat kryesore që pengojnë Kosovën në këtë fushë.
“Mos anëtarësimi në Interpol dhe Europol, mungesa e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe pamundësia për të pasur marrëveshje bilaterale me të gjitha shtetet, mbeten pengesat më të mëdha. Megjithatë, Kosova ka qenë aktive duke lëshuar fletarrestë përmes mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendeve mike,” u shpreh Hoxha.
Krahasimi me vitin 2024
Statistikat e vitit të kaluar tregojnë një numër më të lartë ekstradimesh. Gjatë vitit 2024, gjithsej 77 persona u ekstraduan nga Kosova dhe nga shtete të tjera drejt vendit, ndërsa janë regjistruar edhe tri raste ekstradimesh transit përmes territorit të Kosovës, duke e çuar numrin total në 80.
Ky krahasim tregon një rënie të lehtë në numrin e ekstradimeve gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, por ekspertët theksojnë se Kosova vazhdon të jetë aktive në përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë.