Kosova rrezikon të mos i zbardhë krimet serbe

Dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, ata që kryen krime janë ende të pandëshkuar, e shteti është larg dokumentimit të krimeve të luftës, rrjedhimisht edhe hetimit të tyre.

Zbardhja e krimeve të luftës po vështirësohet, dëshmitë mund të zbehen e dëshmitarët të vdesin. Organizatat që merren me hulumtim në çështjet e drejtësisë, e edhe të drejtave të njeriut, po konsiderojnë se me kalimin e viteve do të bëhet më vështirë për të përfunduar procesin e hetimit të krimeve të luftës.

Ndër vite, krimet e luftës në Kosovë u trajtuan prej ndërkombëtarëve e vendorëve, por aktvendime dënuese pati fare pak.

Ende nuk kanë dalë para drejtësisë kryesit e masakrave, mijëra vrasjeve e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për KosovaPress, se megjithëse institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kompetenca për të ndjekur personat që kanë kryer krime lufte, ata është dashur të krijojnë kushte që gjyqësori të kryejë punën siç duhet.

Egzon Sadikaj nga Sopija është diagnostifikuar me kancer dhe ka nevojë për ndihmën tuaj

Të nderuar njerëz të vullnetit të mirë, i riu Egzon Sadikaj nga fshati Sopijë e Suharekës është diagnostifikuar me kancer. Shërimi i tij kërkon trajtim jashtë shtetit të Kosovës.

“Një ndër to është dashur të ishte që, meqenëse shumica dërrmuese e atyre që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë, nuk gjenden në Kosovë (dhe) jetojnë në Serbi, autoritetet e Kosovës është dashur që të përkujdesen që dialogu i cili ka qenë teknik e pastaj u bë edhe dialog politik, të përshihet edhe tema e bashkëpunimit juridik në mes të Prokurorisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, në mënyrë që të ndiqen penalisht kryesit e krimeve të cilët gjenden në Serbi. Në këtë aspekt mendoj që shteti nuk ka bërë shumë. Nga ana tjetër, edhe në dokumentimin e krimeve të cilat janë kryer gjatë luftës, pak është bërë”, deklaroi Blakaj.

Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm në trajtimin e të kaluarës.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se Kosova do ta ketë vështirë që disa vite më vonë të bëjë diçka lidhur me kimet e luftës.

“Për vet faktin që jemi 21 vite pas përfundimit të luftës dhe Kosova pothuajse as nuk e ka filluar të përmbushë këtë obligim në zbardhjen e të gjitha krimeve të luftës në Kosovë, atëherë sigurisht që çdo vit që ne humbim nënkupton që Kosova pothuajse do të ketë të pamundur që pas 5 apo 6 vitesh të bëjë diçka lidhur me krimet e luftës në Kosovë”, thotë ai.

Miftaraj konsideron se qeveria duhet të hartojë një strategji kombëtare për çështjen e hetimit të krimeve të luftës, e cila sipas tij, do të duhej të miratohej në Kuvendin e Kosovës.

Ai kujton numrin e vogël të personave që janë gjykuar e dënuar për krime lufte në Kosovë.

“Kjo e parashtron nevojën e domosdoshme që Kosova të ndërrojë qasje dhe të ketë politikë me proaktive në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë. Tribunali Ndërkombëtar për krime lufte i Hagës, i cili ka përfunduar punën para disa vitesh, në raportin e tij përfundimtar kishte kërkuar që çdo shtet veç e veç, Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Kosova t’i hetojnë krimet e luftës që kanë ndodhur në territoret e Kosovës. Përderisa shtetet si Serbia, Kroacia dhe Bosnja kanë qenë shumë më proaktiv duke hetuar dhe ndjekur, gjykuar, krimet e luftës, Kosova pothuajse ka qëndruar e heshtur, e fjetur, duke u ofruar amnisti të plotë të gjithë atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë”, u shpreh Miftaraj për KosovaPress.

Në Kosovë tashmë është e miratuar një strategji për krime lufte nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Por fatkeqësisht vendi ka vetëm tre prokurorë që hetojnë dhe ndjekin krimet e luftës, pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në kuadër të kësaj, drejtori i IKD-së vlerëson se Kosova do të duhet të ketë së paku 20 prokurorë në Prokurorinë Speciale, pasuar edhe me një numër të madh të gjyqtarëve nëse synon të përmbyllë një kapitull të hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës.

Saranda Bogujevci, e mbijetuara e një masakre nga njësia paraushtarake serbe e njohur si “Akrepat” e që u bë e para shqiptare që dëshmoi para një gjykate serbe për çështjet e krimeve të luftës dhe sot deputete në Kuvendin e Kosovës, thotë se nuk ka ekzistuar vullnet për të çuar përpara çështjet që lidhen me krimet e luftës.

“Është problematike kjo, sa më shumë që kalon kohë më problem është, kështu që duhet të fillojmë dikur sepse po flitet shumë, është folur shumë dhe mendoj që sinqerisht nëse do të kishte vullnet deri më tani, ndryshe do t’i kishim punët”, tha Bogujevci.

Bogujevci vlerëson se fuqizimi i Prokurorisë është kyç sa i përket zbardhjes së krimeve të luftës në Kosovë.

“Fuqizimi i prokurorisë, nuk mjafton vetëm të shtohet numri i prokurorëve, duhet të ngritët ekip përbrenda prokurorisë sepse aty duhet të ketë njerëz që hulumtojnë të dhënat që marrin, të intervistojnë, është proces më vete dhe kjo gjë merr kohë, dhe këta prokurorë me qenë të përfshirë direkt me çështjen e krimeve të luftës, përveç tjerash, që fatkeqësisht nuk është që ka edhe përvojë aq të madhe sa i përket çështjes së krimeve të luftës përbrenda Kosovës, kjo për shkak të proceseve të ndryshme, përfshirja e ndërkombëtarëve e të tjera, kështu që duhet paralelisht të ketë njëfarë ndihmese në trajnimet e nevojshme që i duhen përbrenda prokurorisë dhe duhen me qenë ekspertë”, thotë ajo.

Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë për 10 mijë e 800 shqiptarë të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, prej tyre 8 mijë civilë. Aktualisht Kosova nuk di për fatin e më shumë se 1600 personave të zhdukur.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.