Kosova pritet të ketë rritjen ekonomike më të lartë në Evropë në vitin 2025, sipas FMN-së
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka ndarë një lajm shumë pozitiv për ekonominë e Kosovës.
Sipas projeksioneve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kosova pritet të ketë rritjen ekonomike më të shpejtë në Evropë për vitin 2025.
Në një postim ku publikoi edhe një hartë ilustruese të projeksioneve të FMN-së, ministri Murati vuri në dukje se kjo rritje është rezultat i reformave të qëndrueshme dhe menaxhimit të kujdesshëm fiskal që është ndërmarrë gjatë dy viteve të fundit.
Ai gjithashtu kujtoi vizitën e muajit të kaluar të zv. Presidentit të Bankës Botërore, Akihiko Nishio, në Prishtinë, me rastin e tranzicionit të Kosovës në një shtet donator në kuadër të Bankës Botërore – një arritje historike për vendin.
Po ashtu, ministri Murati u takua me përfaqësues të FMN-së, të udhëhequr nga shefi i misionit, z. David Amaglobelli, me rastin e përmbylljes së programit dy-vjeçar të reformave të dakorduara me FMN-në. Në këtë takim, përfaqësuesit e FMN-së përgëzuan Kosovën për performancën ekonomike të qëndrueshme dhe maturinë fiskale që ka treguar.
Kjo arritje pozitive pozicionon Kosovën si një shembull të suksesshëm në rajon dhe më gjerë, duke treguar potencialin për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim ndërkombëtar efektiv.