KOSOVA PRIN NË RAJON ME KËTË SËMUNDJE

Rastet me sëmundje të tuberkulozit në Kosovë, kanë shënuar rënie, megjithatë Kosova vazhdon të mbetet e para në rajon sa i përket rasteve me këtë sëmundje.

Krahasuar vitin 2000, me vitin 2018, rastet me tuberkuloz kanë rënë për më shumë se 100 për qind.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Rukije Mehmeti, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se mosha më e prekur me këtë lloj të sëmundjes është ajo rinore.

“Kjo është sëmundje në rënie të dukshme, mirëpo megjithatë Kosova zë vendin e parë në regjion. Nëse e shohim disa të dhëna nga 2000 kur për herë të parë kemi filluar të kemi të dhëna më të sigurta dhe të sakta, që ishin 1764 raste, ndërsa në vitin 2018 numri i të sëmurëve ka rënë në 700 raste. Që do të thotë është zvogëluar numri. Kosova edhe ashtu është në vend që ka një popullatë të re, dhe mosha më e prekur prej kësaj sëmundje është 15 deri në moshën 34 vjeçare”, thotë ajo.

Pulmologia Mehmeti thotë se kushtet për trajtimin e kësaj sëmundjeje janë të mira. Edhe pse pranon se gjatë vitit të fundit kanë pasur mungesë të aparaturave adekuate.

Thotë se kjo sëmundje shërohet më lehtë, nëse pacientët diagnostikohen me kohë.

Fton qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të bëjnë kontrolla të rregullta.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.