Kosova po rrezikohet në falimentim financiar

Kosova po rrezikon falimentimin financiar me pranimin në Këshillin e Evropës.

Pasi do të detyrohet të paguajë qindra milionë euro kompensim qytetarëve që iu janë shkelur të drejtat e njeriut nga gjyqësori.

Me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, qytetarëve iu hapet rruga të ankohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg.

Nëse llogariten vetëm rastet aktuale në procedura gjyqësore, sipas avokatit të popullit Hilmi Jasharit, kompensimi që shteti i Kosovës do të duhej t’iu paguante qytetarëve, mund të arrijë në qindra milionë euro

“Supozoni që sot në Kosovë janë afro 400 mijë raste në procedura gjyqësore, shumica prej tyre janë në zvarritje të procedurave, supozoni një kompensim minimal 1,000 euro për rast dhe pastaj llogaria është shumë e thjeshtë, edhe mund të merrni pastaj epilogun çfarë do të jetë në kompensim si dëm që shteti duhet të paguajë për qytetarin, janë shuma marramendëse, kuptohet pa e llogaritur asnjë rast tjetër, kryesisht rastet që janë aktualisht në procedura gjyqësore”, tha Jashari.

E ankesa të vazhdueshme nga qytetarët për gjykim jo të drejtë, të pa-anshëm dhe në kohë të arsyeshme po shprehen edhe sot e kësaj dite, qe 20 vite. Nëse të gjithë vendosin të kërkojnë të drejtën e tyre të mohuar nga gjyqtarët kosovarë në Gjykatën e Strasburgut, Kosova mund të falimentojë si shtet thotë jurisit Anton Nrecaj.

“Shteti kishte me falimentuar si shtet për shkak për shkak të obligimeve që kishin dalë nga vendimet e Gjykatës evropiane, si pasojë e shkeljeve të drejtave dhe lirive të njeriut. Kishim ardhur në pozitë sa që kishim falimentuar si shtet. Sepse ka shkelje masovike të drejtave të njeriut. Shkeljet thelbësore, qasje në drejtësi, shkeljen thelbësore të nenit 6 të Konventës Evropiane, e drejta për një gjykim të drejtë, të pa-anshëm dhe në një kohë të arsyeshme. Koha e arsyeshme nuk është 8 vite, sidomos kur kemi të bëjmë për fëmijë”, thotë Nrecaj për RTK.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.