Edhe në Kosovë, ky përvjetor i dhimbshëm u shënua me homazhe përkujtimore. Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, ndër tjerë, nderuan viktimat pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Qeverisë/Kuvendit.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës, zhvillohen ceremoni solemne për të kujtuar viktimat dhe për të nderuar heroizmin e zjarrfikësve, policëve dhe qytetarëve që ndërhynë atë ditë.

Në Ground Zero, vendin ku dikur ishin Kullat Binjake në New York, familjarët dhe autoritetet lexojnë emrat e viktimave, duke mbajtur momente heshtjeje në kujtim të tyre. Në mbrëmje, ndizet instalacioni artistik “Tribute in Light”, dy drita të fuqishme që projektohen drejt qiellit, duke simbolizuar mungesën e kullave dhe duke shërbyer si një kujtim vizual i tragjedisë.

Përkujtimi i 11 Shtatorit shpesh shoqërohet me iniciativa vullnetare dhe aktivitete bamirësie, duke e shndërruar dhimbjen në veprim humanitar dhe solidaritet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave.

Sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 ishin një nga ngjarjet më tragjike në historinë moderne. Katër aeroplanë pasagjerësh u rrëmbyen nga pjesëtarë të Al-Kaidës. Dy prej tyre u përplasën në Kullat Binjake në New York, një tjetër në Pentagon dhe i fundit u rrëzua në një fushë në Pensilvani, pasi pasagjerët tentuan të ndalonin rrëmbyesit. Rreth 3.000 persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë u plagosën. Që nga ajo ditë, bota përkujton viktimat dhe heroizmin e atyre që ndërhynë gjatë sulmeve.