ECMI, ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe institucioneve evropiane, përmes përfaqësuesve të shoqërisë civile, biznesit dhe sindikatave. Megjithatë, Kosova deri më tani kishte mbetur jashtë kësaj nisme për shkak të mungesës së statusit zyrtar të vendit kandidat për BE.
Përfshirja e Kosovës në ECMI është rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), i cili përmes Rrjetit Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN) ka zhvilluar një fushatë të gjerë avokuese në nivel rajonal.
Në këtë proces, KCSF ka bashkëpunuar ngushtë me partnerë nga i gjithë rajoni dhe ka siguruar mbështetjen e Presidentit të EESC-së, z. Oliver Röpke, për përfshirjen e Kosovës në këtë platformë.
Fushata rajonale e koordinuar nga KCSF ka marrë mbështetjen e plotë të 104 organizatave të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat i janë bashkuar kërkesës për të siguruar që edhe Kosova të jetë pjesë e kësaj nisme të rëndësishme evropiane që fuqizon zërin e shoqërisë civile në proceset e integrimit.
Ky zhvillim vlerësohet si një hap domethënës për avancimin e dialogut ndërmjet institucioneve evropiane dhe sektorit civil në Kosovë, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim, shkëmbim përvojash dhe përfaqësim më të denjë të interesave të qytetarëve në arenën evropiane.