Kosova nis luftën kundër dhunës në familje: Hallka gjurmuese për dhunuesit
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në luftën kundër dhunës në familje me lansimin e projektit të mbikëqyrjes elektronike të dhunuesve.
Në një ceremoni të veçantë, Kryeministri Albin Kurti theksoi se kjo iniciativë do të ndihmojë në mënyrë të ndjeshme viktimat e dhunës në familje të ndiehen më të sigurta dhe të mbrojtura.
“Me këtë projekt, ne po i japim një mesazh të qartë se dhuna në familje nuk do të tolerohet më në Kosovë,” deklaroi Kurti. “Hallkat gjurmuese do të na ndihmojnë të mbrojmë më mirë viktimat dhe të ndëshkojmë dhunuesit.”
Këto pajisje elektronike do të vendosen në dorë ose këmbë të dhunuesve dhe të dyshuarve për dhunë në familje. Ato do të monitorojnë lëvizjet e tyre dhe në rast se dhunuesi afrohet në një zonë të caktuar ku ndodhet viktima, do të alarmohen menjëherë autoritetet.
“Në momentin që një dhunues i afrohet viktimës, do të lajmërohen të dy nivelet, ai lokal dhe ai qendror i policisë,” shpjegoi Kurti. “Kjo do të na lejojë të ndërhyjmë shumë më shpejt dhe të parandaloshëm incidente të mëtejshme të dhunës.”
Sipas Kryeministrit, një nga problemet më të mëdha në luftën kundër dhunës në familje është mosrespektimi i urdhrave mbrojtës. “Me këtë sistem të ri, ne do të mund të kontrollojmë nëse dhunuesit po i respektojnë këto urdhra dhe të ndërhyjmë nëse ata po i shkelin,” tha Kurti.
“Ne besojmë se ky projekt do të reduktojë ndjeshëm dhunën në familje dhe do t’i japë shpresë viktimave,” shtoi ai.