Kosova nesër shënon 16-vjetorin e pavarësisë

16.02.2024

Nesër Kosova shënon 16-vjetorin e pavarësisë. Me këtë rast, sheshet e Prishtinës janë dekoruar me flamuj të Kosovës dhe me ata kombëtarë.

Kosova nesër shënon 16-vjetorin e pavarësisë Foto: Ilustrim

Për nder të kësaj dite janë organizuar shumë aktivitete nga institucionet shtetërore. Kjo festë pritet të shënohet në çdo komunë të Kosovës, pasi janë paralajmëruar edhe aktivitete të ndryshme kulturore.

Edhe Radiotelevizioni i Kosovës, nga mëngjesi do të fillojë me program special që do të vazhdojë gjatë gjithë ditës, me mysafirë, lidhje të drejtpërdrejta e përcjellje të aktiviteteve ditore.

Qeveria e Kosovës ka publikuar tashmë edhe logon zyrtare të shënimit të këtij përvjetori derisa ka zbardhur edhe agjendën festive.

Në këtë kuadër janë paraparë homazhe në varrezat e heronjve dhe personaliteteve të shquara që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë. Po ashtu, parashihet që Qeveria e Kosovës të mbajë mbledhje festive derisa në një seancë solemne do të mblidhet edhe Kuvendi i Kosovës.

Krerët e shtetit të Kosovës gjatë ditës do të organizojnë edhe pritjen solemne derisa parashihen pritje zyrtare në të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.