Kosova nënshkruan Konventën e Lubjanës-Hagës për ndjekjen e krimeve ndërkombëtare
Republika e Kosovës ka nënshkruar Konventën e Lubjanës-Hagës, e cila synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera ndërkombëtare.
Sipas një njoftimi zyrtar, në emër të Qeverisë së Kosovës, konventa u nënshkrua nga ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, të premten, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tregtisë së Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar të Mbretërisë së Belgjikës. Nënshkrimi u bë pas bartjes së kompetencave nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Mbretëria e Belgjikës është shteti depozitar i kësaj konvente, e cila deri më tani është nënshkruar nga mbi dyzet shtete. Synimi i saj është të lehtësojë bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet penale mes shteteve palë dhe të fuqizojë përpjekjet globale kundër mosndëshkimit për krimet më të rënda ndërkombëtare.
Ky hap e pozicionon Kosovën si pjesë të mekanizmave ndërkombëtarë në luftën kundër krimeve të luftës dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, duke përforcuar angazhimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie në nivel ndërkombëtar.