Kosova ndikohet nga zhvillimet në Ukrainë, çmimet e naftës vazhdojnë të rriten

26.02.2022

Ekspertët presin përshkallëzim negativ ekonomik, ndërsa qytetarët ankohen për çmime të larta. Prej ditës së premte, çmimet e derivateve në vend janë ngritur për 0.6 centë në litër. Sipas kryetarit të Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani çmimet kanë shkuar deri në 1 euro e 42 centë. Berjani paralajmëron se çmimet pritet të arrijnë deri në […]

Kosova ndikohet nga zhvillimet në Ukrainë, çmimet e naftës vazhdojnë të rriten Foto: Ilustrim

Ekspertët presin përshkallëzim negativ ekonomik, ndërsa qytetarët ankohen për çmime të larta. Prej ditës së premte, çmimet e derivateve në vend janë ngritur për 0.6 centë në litër.

Sipas kryetarit të Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani çmimet kanë shkuar deri në 1 euro e 42 centë.

Berjani paralajmëron se çmimet pritet të arrijnë deri në 1 euro e 60 centë. Ai ka thënë për KosovaPress se në 20 vitet e fundit, çmimet e karburanteve nuk kanë qenë më të larta se tani.

Madje sipas tij, këto çmime janë duke u rritur në mënyrë ekstreme, teksa bën të ditur se marzha e fitimit të naftëtarëve nuk është më shumë se 5 centë për litër.

“Sa i përket çmimeve të derivateve kuptohet se Ukraina dhe Rusia kanë ndikuar. Kjo luftë e tmerrshme e cila është duke ndodhur për fat të keq ka ndikuar edhe në sektorin e naftës. Çmimet janë rritur në mënyrë ekstreme. Vetëm mbrëmë kemi pasur rritje 60 dollarë në ton. Çka do të thotë se rritja e çmimeve nuk po ndodhë vetëm tek ne në Kosovë, por në tërë botën.

Çmimet sot aktualisht sillen nga 1.31 centë deri 1.40 centë për naftë, benzina deri 1 euro e 42 centë. Trendi i çmimeve kështu siç po ndodhë do të arrijë deri në 1 euro e 60 centë për litër naftë. Kjo te ne kur ndodhë, ky çmim në Shqipëri, Serbi dhe në shtet në regjion do të bëhet mbi 2 euro”, ka thënë Berjani.