05.09.2019, 14:19

Kosova heq taksën ndaj Maqedonisë së Veriut

Më 16 gusht të vitit 2019, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kishte marrur vendim për marrjen e masës reciproke ndaj Maqedonisë Veriore në dy produkte.

Por tani ministri në detyrë, Endrit Shala, ka njoftuar se ka suspenduar masën për reciprocitet ndaj Maqedonisë së Veriut.

Ministri Shala ka treguar edhe arsyen se pse është suspenduar kjo masë, ai thotë se ky vendim është marrë pasi që ka pasur reagime nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, dhe si pasojë do të lejoj që produktet e këtij shteti të futen në territorin e Republikës së Kosovë.

Ministri Shala tha se: “Vetëm kur bëhemi bashkë për shtetin tonë mund ta arrijmë qëllimin, mund ta arrijmë respektin e të gjithëve. Pas reflektimit të Maqedonisë së Veriut edhe unë sot kam marr vendim që ta suspendoj vendimin për masa reciproke të para disa javëve në lidhje me produktet e Maqedonisë së Veriut që hyjnë në Kosovë”.

Po ashtu ai më tutje tha se: “Ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë prodhimet kosovare, vetëm duke rritur prodhimin dhe duke rritur eksportin mund ta zhvillojmë shtetin. Prandaj, duhet të jemi bashkë për shtetin!”.

Produktet që përfshiheshin brenda masave ishin mjalti dhe patatet, kjo pasi që Maqedonia kishte aplikuar barriera tarifore ndaj produkteve të Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, Shala kishte theksuar se që nga qershori i këtij viti kur produktit të Kosovës, rasadit të peshkut i janë vendosur barrierat tarifore nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka dërguar ankesa përmes sekretariatit të CEFTA-së dhe po ashtu iu ka drejtuar me letër ministrit të ekonomisë, por që nuk kanë reflektuar.

LEXO EDHE:  Ish-eprori i lartë i UÇK-së intervistohet nga Gjykata Speciale

“Dhe tashmë kanë kaluar dy muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje, prandaj jam i detyruar që në mbrojtje të interesit të Kosovës, biznesit Kosovar dhe në mbrojtje të prodhimeve tona që të ndërmarr veprime të tjera ligjore, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës. Sot kam marr vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet”, kishte thënë Shala.

Ai kishte thënë se duhet të ketë trajtim të barabartë, që sipas tij, është e vetmja rrugë që duhet të ecim përpara.

“Reciprociteti, partneriteti dhe trajtimi i barabartë i prodhimeve kosovare gjatë eksportit në vendet e rajonit, është e vetmja rrugë me të cilën duhet të ecim përpara. Në rast se ky tretman do të vazhdojë ne do të marrim edhe hapa tjerë, jo vetëm ndaj këtij shteti por edhe shteteve tjera. Tashmë asnjë prodhim Kosovar që eksportohet jashtë nuk do të ketë tretman të pabarabartë”, kishte potencuar Shala.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.