Kosova do të përfitojë 138 milionë euro nga Bashkimi Evropian

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje financiare me Bashkimin Evropian për programet IPA 2019, pjesa 2 dhe IPA 2020, ku nga kjo Kosova do të përfitojë 138 milionë euro.

Procedurat për hyrjen në fuqi të këtyre marrëveshjeve do të nisin sa më parë që të jetë e mundur, kurse me hyrjen e tyre në fuqi, Kosova do të përfitojë në total 138 milionë euro nga BE-ja. Këto fonde do të zbatohen të kombinuara me më shumë se 40 milionë euro fonde të tjera në formë huamarrjeje nga institucionet financiare ndërkombëtare, për projekte të mëdha infrastrukturore nga fusha e mjedisit, energjisë dhe bujqësisë, si dhe bashkëfinancim nga ana e Qeverisë së Kosovës për disa nga projektet.

Nga këto programe, përveç të tjerash, Kosova do të përfitojë 20.5 milionë euro si grant në buxhet këtë vit për të ndihmuar stabilitetin fiskal të vendit dhe 6 milionë euro të tjera vitin e ardhshëm. Zbatimi i projekteve të financuara nga këto programe do ta nxisë riaktivizimin ekonomik të vendit dhe do të ndikojë fuqishëm në rimëkëmbjen ekonomike të vendit, ka thënë Hoti.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.