Kosova do të kërkojë llogari nga Serbia për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore

24.09.2021

Kryeministri theksoi se ky komision është pjesë e nismave të Qeverisë për të adresuar të kaluarën, që përfshijnë Strategjinë Shtetërore për Drejtësinë Tranzicionale dhe Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, e që emërues të përbashkët kanë ballafaqimin me të kaluarën. “Fatkeqësisht, shkatërrimi i trashëgimisë sonë kulturore nga forcat e armatosura serbe, ka mbetur disi […]

Kosova do të kërkojë llogari nga Serbia për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore Foto: Ilustrim

Kryeministri theksoi se ky komision është pjesë e nismave të Qeverisë për të adresuar të kaluarën, që përfshijnë Strategjinë Shtetërore për Drejtësinë Tranzicionale dhe Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, e që emërues të përbashkët kanë ballafaqimin me të kaluarën.

“Fatkeqësisht, shkatërrimi i trashëgimisë sonë kulturore nga forcat e armatosura serbe, ka mbetur disi i heshtur dhe i harruar nga Institucionet e Republikës së Kosovës. Pas afro 23 vitesh, për herë të parë kemi vendosur një hap drejt kërkesës sonë për drejtësi, për dëmtimet e qëllimshme dhe humbjet në vlerat e trashëgimisë sonë kulturore”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili edhe udhëhoqi takimin e parë të komisionit, tregoi se ministria komisioni ka mbështetjen e plotë ministries.

“23 vjet pas luftës së viteve 1998 – 1999 kur krahas humbjeve fatale të jetës së njerëzve dhe dëmeve materiale, janë shkatërruar qëllimshëm monumentet e trashëgimisë kulturore për herë të parë kemi ndërrmarë nismën për të kërkuar drejtësi për vlerat e shkatërruara. Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”, u shpreh ministri Çeku.

Komisioni Shtetëror për hulumtimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999 në Kosovë është emëruar në mbledhjen e 19-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku,

E nderuara Kryesuese e Komisionit Shtetëror, znj. Gjejlane Hoxha,

Të nderuar anëtarë të Komisionit shtetëror për hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës së vitit 1998-1999,

Të nderuar media,

Zonja dhe Zotërinj

Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot bashkë me ju në këtë ngjarje të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore, të humbur e të shkatërruar qëllimshëm.

Trashëgimia kulturore është ndër burimet më të fuqishme formative të identitetit kulturor. Ajo fuqizon lidhjen tonë me historinë, zhvillon ndjenjën e pronësisë dhe kujdesit ndaj vlerave dhe nxit përgjegjësinë ndaj gjeneratave që do të vijnë.

Gjatë luftës së viteve 1998-1999, krahas mijëra jetëve të humbura dhe dëmeve materiale, e shpirtërore, Kosova ka përjetuar humbje fatale të trashëgimisë së saj kulturore. Gjatë luftës, trashëgimia kulturore shqiptare është shënjestruar, plaçkitur dhe shkatërruar nga forcat e armatosura serbe. Shkatërrimi masiv, në zonat urbane e rurale, rezultoi me humbje dhe dëmtim serioz të ndërtesave tradicionale pjesë të trashëgimisë kulturore, ku qindra xhami dhe objekte të besimit islam, qendra historike, kulla, ndërtesa tradicionale, biblioteka, arkiva, muze janë shkatërruar.

Trashëgimia ndërtimore nuk ishte kategoria e vetme e shkatërruar, por gjatë periudhës 1998-1999 me mijëra objekte nga koleksioni muzeor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, dhe dokumente origjinale arkivore janë marrë dhe vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi.

Në gjykimet e Tribunalit të Hagës, shkatërrimi i qindra monumenteve të Kosovës gjatë luftës është cilësuar si krim kundër njerëzimit. Tribunali ka dënuar gjashtë zyrtarë të Ushtrisë Serbe, policisë dhe zyrtarë shtetërore si përgjegjës për një fushatë dhune masive, përfshirë shkatërrimin e xhamive dhe objekteve tjera fetare, gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Megjithatë shumë pak e kanë thënë që shkatërrimet në fjalë janë një komponent kyç i krimeve të kryera gjatë luftës. E kjo është edhe një prej arsyeve pse na duhet të nisim këtë diskutim e të bëjmë shumë punë mbi adresimin e shkatërrimeve të kryera.

Por fatkeqësisht, shkatërrimi i trashëgimisë sonë kulturore nga forcat e armatosura serbe, ka mbetur disi i heshtur dhe i harruar nga Institucionet e Republikës së Kosovës. Pas afro 23 vitesh, për herë të parë kemi vendosur një hap drejt kërkesës sonë për drejtësi, për dëmtimet e qëllimshme dhe humbjet në vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.

Jam shumë i nderuar dhe i lumtur që ftesës sonë për të kontribuar në këtë çështje shumë të rëndësishme, i janë përgjigjur ekspertë shumë të nderuar vendor e ndërkombëtar, e në veçanti jam shumë mirënjohës për praninë e dy ekspertëve, të cilët kanë mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore të shkatërruar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, z. Riedlmayer dhe z. Herscher.

Themelimi i Komisionit shtetëror për dokumentim të trashëgimisë kulturore të shkatërruar nga forcat e armatosura serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, ka një rëndësi madhore. Do të bëjmë dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë dëmtuar dhe zhdukur qëllimshëm, për t’i hapur rrugë kërkesës sonë për drejtësi dhe kompensim të dëmit të shkaktuar, i cili nuk është vetëm dëm material. Gjatë punës së Komisionit do të merren për bazë të gjitha dokumentimet që janë kryer deri tani dhe sidomos vepra kolosale e profesorëve të nderuar Riedlmayer dhe Herscher.

Roli dhe përgjegjësia e punës së këtij komisioni është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Me kontributin e të gjithëve, ndaj besimin e thellë që rezultatet do të jenë afirmative.

Për fund është me shumë rëndësi të theksohet që ky komision është pjesë e nismave të filluara nga Qeveria jonë për të adresuar të kaluarën. Këto nisma përfshijnë Strategjinë Shtetërore për Drejtësinë Tranzicionale dhe Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës.

Koordinimi i mirëfilltë mes institucioneve është me rëndësi të ketë një emërues të përbashkët. E emëruesi i përbashkët në këtë rast është ballafaqimi me të kaluarën.

Të gjeturat nga Komisioni shtetëror për hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës së vitit 1998-1999, do t’i shërbejnë dhe transferohen Institutit i cili presim të themelohet dhe funksionalizohet vitin e ardhshëm.

Prandaj, më lejoni ta mbyllë fjalën time duke ju falënderuar të gjithëve për angazhimin dhe kontributin tuaj.