Kosova dëbon dy pjesëtarë të MPB-së serbe, njërit i hiqet shtetësia

para 35 dite

Këtë e kanë konfirmuar avokatët e tyre për Radion Evropa e Lirë (REL) ditën e diel. Nikolla Vujoviq dhe Mlladen Millojeviq u dëbuan të shtunën mbrëma dhe të dyve u është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet, sipas avokatëve të tyre, Bogdan Laziq dhe Srgjan Mitroviq. Vujoviq dhe Millojeviq ishin në mesin e tre pjesëtarëve aktivë dhe…

Kosova dëbon dy pjesëtarë të MPB-së serbe, njërit i hiqet shtetësia

Këtë e kanë konfirmuar avokatët e tyre për Radion Evropa e Lirë (REL) ditën e diel.

Nikolla Vujoviq dhe Mlladen Millojeviq u dëbuan të shtunën mbrëma dhe të dyve u është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet, sipas avokatëve të tyre, Bogdan Laziq dhe Srgjan Mitroviq. Vujoviq dhe Millojeviq ishin në mesin e tre pjesëtarëve aktivë dhe një pjesëtari të pensionuar të MPB-së serbe që u arrestuan në Kosovë të shtunën.

Autoritetet kosovare kanë konfirmuar vetëm arrestimin e Vujoviqit dhe qëllimin për dëbimin e tij. Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, i hoqi atij shtetësinë kosovare të shtunën, duke theksuar se Vujoviq ishte i rekrutuar nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë. Sveçla deklaroi se Vujoviq “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë.” Vujoviq, i cili vjen nga Zubin Potoku në veri të Kosovës, ka paralajmëruar padi ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për heqjen e shtetësisë, sipas avokatit të tij.

Millojeviq ushtron detyrën e policit të Serbisë në Rashkë dhe vjen nga Leposaviqi, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sipas Ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person e humb shtetësinë nëse merr pjesë në veprimtari që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës, është qëllimisht anëtar i një organizate me qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës, ose është anëtar i shërbimit të inteligjencës apo i forcave policore të një shteti tjetër pa pëlqim nga organet vendore dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake.

Ministri Sveçla theksoi se Serbia po bën “përpjekje sistematike” për destabilizim të brendshëm të Kosovës, duke punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, “akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dënoi vendimin e autoriteteve kosovare për arrestimin e pjesëtarëve dhe ish-pjesëtarit të MPB-së të shtunën, duke theksuar se autoritetet kosovare nuk kanë pasur “asnjë arsye ligjore” për arrestimin e tyre dhe se kjo “është hakmarrje e nxitur politikisht kundër popullit serb”.

Etiketat

Ofertat e fundit