Shtrëngimi i hyrje-daljeve në fshatin Korishë dhe vizita e Shaqir Totajt

Për dallim nga ditët tjera, të enjten pikat kontrolluese të Policisë së Kosovës të vendosura në hyrje-daljet e fshatit Korishë ishin tërësisht të pa tolerueshme për hyrje apo dalje nga ky fshat.

Deri të mërkurën shumë banorë të këtij fshati përmes vërtetimeve për lëvizje të lirë kanë qarkulluar edhe jashtë fshatit për furnizime, punë etj.

Por me të hyrë në Korishë nga ana e policisë banorëve u është thënë se nga e enjta nuk vlejnë vërtetimet për lëvizjen e lirë.

Nga burime të portalit bëhet e ditur se shtrëngimi i këtyre masave vjen menjëherë pas vizitës së kryetarit të Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj në fshatin Korishë.

I kontaktuar nga redaksia e SuharekaOnline zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj, ka thënë se shtrëngimi i masave nuk ndërlidhet me vizitën e z.Totaj dhe se Policia e Kosovës është duke hetuar rastin se si ka hyrë z.Totaj në Korishë.

I pyetur se pse deri të mërkurën është lejimi i qarkullimit të qytetarëve në hyrje-dalje ka qenë më i zbutur Osmanollaj tha se ndoshta pikat kontrolluese nuk i kanë pasur udhëzimet se si të veprojnë.

Të martën, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, njoftoi se një delegacion i kësaj partie ka vizituar shtabin lokal në fshatin Korishë, duke respektuar rekomandimet e institucioneve, për mbajtjen e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se të mërkurën është dorëzuar kallëzimi penal në Prokurori kundër zyrtarëve të PDK-së, të cilët të martën kanë realizuar një vizitë në fshatin Korishë.

Sipas Haskukës, hyrja e opozitarëve ka qenë e paautorizuar në zonën karantinë.