Korisha shpallet zonë në karantinë, ndalohen hyrje-daljet dhe lëvizja në fshat

Sot në Prizren është shënuar rasti i tretë me virusin COVID-19 në komunën, respektivisht me vendbanim në Korishë.

Ndryshe nga 2 rastet e tjera kur është konstatuar burimi i infektimit dhe janë identifikuar të gjitha kontaktet, në rastin e fundit personeli nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit.

Prandaj me rekomandimin e IKShPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Shëndetësisë sot ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat. Vendimi hyn në fuqi nga sot dhe obligohen të gjithë t’i respektojnë masat.

Këto masa janë për parandalim dhe janë për të mirën e të gjithëve, prandaj t’i respektojmë.

Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me institucionet është më se i domosdoshëm për luftimin e koronavirusit. Personeli i IKShPK-së në vazhdimësi është duke kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

I ftoj të gjithë kontaktet e personit që të vetizolohen për dy javë dhe nëse kanë simptome të telefonojnë në numrin 038 200 80 800.

Të ndihmojmë stafin mjekësor profesional që të bëjnë punën e tyre duke respektuar masat, ka kërkuar kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

RAPORTO